Telegrafi

Partneri i kryeministres italiane shkakton zemërim me deklaratën e tij: Femrat mund të shmangin përdhunimin nëse nuk pinë alkool

Partneri i kryeministres italiane Giorgia Meloni, gazetari Andrea Giambruno ka shokuar opinionin me deklaratën që ka të bëjë me keqtrajtimin e femrave, kurse kryeministres italiane i kanë bërë thirrje që të distancohet nga komentet e tij.

Në fakt gjatë një emisioni në televizionin Rete 4, Giambruno sugjeroi se gratë mund të shmangin keqtrajtimin duke mos konsumuar alkool gjatë daljeve nëpër klube të natës, transmeton Telegrafi.

“Nëse vallëzoni, keni të drejtë të deheni. Megjithatë, nëse shmangni pirjen e alkoolit, atëherë me siguri do të shmangni që të futeni në telashe”, tha Giambruno.

Giambruno gjatë emisionit po diskutonte për këtë problem me redaktorin e të përditshmes Libero, Pietro Senaldi, e që të dy janë deklaruar sesi përdhunuesit duhet të dënohen me dënime maksimale.

Megjithatë edhe Senaldi është pajtuar me komentin e Giambruno rreth asaj se femrat duhet të shmangin alkoolin gjatë daljeve nëpër klube të natës.

“Nëse dëshironi të shmangni përdhunimin, para se gjithash mos e humbni vetëdijen. Qëndroni të kthjellët”, ka porositur gazetari italian.

Shumë nga opozita kanë dënuar këto deklarata të italianëve, dhe i kanë bërë thirrje Melonit që të distancohet nga deklarata e partnerit me të cilin ka një vajzë 7-vjeçare. /Telegrafi/