Pas reagimit të bërë nga Federata Shqiptare e Futbollit, e cila u distancuar nga menaxheri Drini Çaushi dhe kërkoi që çështja të shkojë në Prokurori, ndërkohë që i bën thirrje institucionit më të lartë të futbollit në vend që edhe të veprojë, duke e dërguar këtë çështje në Komisionin e Disiplinës.
“K.F. PARTIZANI përshëndet reagimin e orëve të vona të FSHF-së në lidhje me Skandalin e publikuar në emisionin “Fiks Fare”. I bëjmë me dije FSHF-së, që materiali pasi është provuar për vërtetësinë e tij, patjetër që do t’i dërgohet prokurorisë. Por institucioni i futbollit, përveçse të distancohet nga ky skandal apo të na këshillojë rrugën që duhet ndjekim duhet të VEPROJË”.
“Materiali, përmban emra dhe persona konkretë! Hetimi penal vazhdon, por ky material duhet të jetë edhe një çështje që duhet shqyrtuar nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së”.
“Të jetë ky Komision, që pasi do të shqyrtojë faktet dhe emrat e përmendur, të vendosë nëse ka rrethana për të marrë një vendim. Federata duhet të veprojë nëpërmjet komisioneve, të tregojë vullnetin e saj, në një çështje që i shërben të gjithëve, jo të hiqet mënjanë për të bërë deklarata distancuese”.
“Ne si klub do të ofrojmë gjithë materialet e nevojshme që disponojmë, për cilindo person të përfshirë, për të parë ku rezulton, apo ku është i përfshirë. Na vjen mirë që edhe FSHF është e vendosur për mbrojtjen e pastërtisë së lojës, por kjo kërkon më shumë veprime konkrete, sesa deklarata distancuese”.