Partizani u shpall fitues i SuperKupës së Shqipërisë 2023, pasi mundi Egnatian 1-0 në finalen e luajtur sot në mbrëmje në stadiumin “Air Albania”.
Të kuqtë vinin në këtë sfidë si ekipi Kampion i Shqipërisë për sezonin 2022/2023, ndërsa Egnatia si fituesja e Kupës së Shqipërisë.
Për Partizanin ky ishte trofeu i tretë në histori, teksa sfidën e vendosi Arinaldo Rrapaj, Topi i Artë për vitin 2023, i dekoruar me këtë çmim në mbrëmjen Gala “Më të Mirët 2023”.
Egnatia e nisi më mirë ndeshjen duke rrezikuar që në minutën e 9-të me Paulauskas që pati një rast të artë shënimi, por goditja e tij shkoi jashtë.
Në vijim të kuqtë ishin më kërkues dhe realizuan në të 37-ën me Arinaldo Rrapajn.
Kaq mjaftoi në pjesën e parë, ndërsa fraksioni i dytë nisi me një ritëm të lartë nga të dyja skuadrat.
Në minutën e 72 Egnatia humbi mundësinë e artë për të barazuar rezultatin, teksa Fernando nuk goditi saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Portieri Pano Qirko ndali goditjen e mesfushorit të Egnatias.
Deri në fund asgjë nuk ndryshoi në rezultat dhe Partizani triumfoi në finalen e SuperKupës së Shqipërisë.
Në përfundim të sfidës u zhvillua edhe ceremonia e dorëzimit të medaljeve dhe trofeut, ku mori pjesë Zv. Presidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri.