Telegrafi

Partive nuk iu pritet data zyrtare e fushatës për premtimet miliardëshe

Foto: Ilustrim

Miliarda euro po premtohen nga partitë politike gjatë fazës së para-fushatës. Krahas miliardave, premtohet rritja e pagës minimale dhe beneficione tjera. Për ekspertët e ekonomisë shumë prej këtyre premtimeve janë të parealizueshme.

Edhe pse fushata zgjedhore zyrtarisht nuk ka filluar, kjo nuk po i pengon subjektet politike të bëjnë premtime miliardëshe.

Për profesorin universitar të ekonomisë, Sejdi Rexhepi, premetimet e partive po duken si një garë mes tyre.

“Thuajse të gjitha programet që janë shpalosur deri më tani duken si një lloj gare se kush po premton më shumë dhe në esencë kush po premton më mirë. Asnjëri prej këtyre programeve deri më tani, së paku në bazë të informacioneve që kam, nuk përmban koston e realizimit të tyre në praktik”, tha Sejdi Rexhepi për RTV Dukagjinin.

Skender Krasniqi nga Oda e Afarizmit thotë se realiteti është krejt ndryshe nga ajo që premtojnë partitë.

“Kemi parë oferta dhe premtime të vazhdueshme gjatë këtyre viteve nga të gjithë, premtime që këto parti ndoshta as në ëndërr nuk i kanë parë, por që janë përdorë gjatë fushatave, po përdoren dhe do të përdoren edhe në të ardhmen në fushata, por realiteti është ndryshe”, deklaroi Skender Krasniqi.

Profesori Sejdi Rexhepi thotë se edhe nëse partitë do të fillonin të implemenhtonin disa premtime nuk do të mund t’ia dilnin.

“Në kapacitetin ekzistues të Kosovës një pjesë e këtyre premtimeve janë të pa realizueshme. Ka premtime që mund të realizohen brenda një mandati katërvjeçar por që shumica prej tyre janë jashtë kapacitetit buxhetor që ka Kosova”, deklaroi më tej Sejdi Rexhepi./Telegrafi/