Drejtori i Ndërmarrjes Qarkulluese Publike Shkup, Aleksandar Stojkovski nuk e mohon që institucioni që ai drejton ka borxhe ndaj transportuesve privat, pavarësisht se këtë të fundit disa herë e ka mohouar Danella Arsovska, kryetare e qytetit të Shkupit. Drejtori Stojkovski, në një intervistë tha se borxhin ndaj transportuesve privat e ka trashëguar që në momentin që mori këtë detyrë, gjashtë muaj më parë. Ai vlerëson se borxhi duhet të shlyhet por fillimisht të përcaktohet se cila është shuma reale e saj.
“Është shuma e njejtë, 90 milionë denarë. Nga dita ime e parë e deri më sot me plot përgjegjësi e them se pagesa e fundit është bërë më 8 nëntor. Në atë moment na erdhi edhe lista e plotë ku secili duhet të respektojë të drejtat dhe detyrimet e tij. Obligimi ynë është se duhet ta shlyejmë këtë borxh e premtoj. Por, fillimisht duam ti shohim detyrimet e tyre që duhej t’i kishin realizuar por që nuk i kanë kryer në pesë vitet e fundit”, tha Aleksandar Stojkovski, drejtor I NQP-Shkup.
Borxhi ndaj transportuesve privat ka përplasur pushtetin dhe opozitën. Nga LSDM thanë se Qyteti i Shkupit gjatë gjithë javës ka qenë në kolaps total për shkak të paaftësisë së VMRO-DPMNE-së dhe kuadrove të saj në pushtetin e qytetit.
“Pushteti i qytetit të VMRO-DPMNE-së dhe kryetarja Arsovska i shpërfillin të gjitha këto probleme dhe vazhdojnë të akuzojnë njëri-tjetrin për krim. Në ndërkohë qyteti është në stagnim, nuk ka asnjë projekt të ri, e as nuk vazhdojnë projektet e trashëguara nga pushteti i kaluar i qytetit të udhëhequr nga LSDM-ja”, tha Lubica Jançeva, LSDM.
Ndërkohë, nga VMRO-DPMNE akuzojnë se kaosi i krijuar me transportuesit privat është si rezultat i koalicionit LSDM – Danella Arsovska ndërsa fryt i këtij koalicioni është drejtori i NQP-së. Aleksandar Stojkovski.
“Gjatë ndarjes së tenderëve, Arsovska dhe Kovaçevski i vënë në mëshirë transportuesit privatë dhe qytetarët e Shkupit me transportin publik të ndërprerë. Shkupi është i bllokuar, dhe shkupjanët janë të bllokuar në kaos trafiku, dhe fajin e ka vetëm LSD dhe Danela Arsovska. Është e qartë pse VMRO-DPMNE e tërhoqi mbështetjen e saj për Arsovskën. Ne kurrë nuk do të mbështesim këdo që hyn në një koalicion me kriminelët për të bërë marrëveshje të dyshimta”, u shpreh Naum Stiollkovski, VMRO-DPMNE.
Sipas transportuesve privat, nëse deri të dielën në mbrëmje Qyteti i Shkupit nuk ofron asnjë zgjidhje atëherë nga e hëna në mëngjes me 200 autobusë privatë do të bllokohet në tërësi udhëkryqet tek “Mavrovasja”, udhëkryqi tek Kryqi i Kuq dhe rruga “Ilindenska”.