Site icon Telegrafi

Partitë shqiptare në Maqedoni, pa koment për kandidaturën e Kovaçkit

Partitë politike shqiptare nuk kanë pasur koment për kushtetutshmërinë e zgjedhjes së një personi të ushtrisë në krye të ministrisë së Brendshme. Për BDI-në, aspektin juridik të zgjedhjes e vlerësojnë institucionet.

“BDI vlereson që aspektet procedurale duhet të adresohen nga institucionet kompetente, jo nga partitë, dhe vlerësimi i institucioneve përkatëse duhet të merret parasysh, ndërsa respektojmë parimin që partitë politike kanë autonominë dhe përgjegjësinë e nominimit të kandidatëve për poste të ndryshme”, thonë nga BDI.

Për Lëvizjen Besa, e rëndësishme është që qeveria teknike të organizojë zgjedhje të drejta dhe demokratike, si arsye për të cilën edhe formohet.

“Ne, qeverinë teknike e cila pritet të formohet, e shohim si një qeveri e cila do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve, në mënyrë ferr dhe demokratike me standarde Evropiane. Sa i përket kuadrove të propozuara, Lëvizja BESA nuk i sheh si zgjidhje të problemeve që ka pasur qeveria në shumë sfera. E rëndësishme është që kjo qeveri të organizoi zgjedhje të lira, fer, demokratike dhe te pa kontestuara”, thonë nga Lëvizja Besa.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se në krye të dikasterit të Brendshëm do të duhet të zgjedhej person nga sektori civil.

“Vlerësojmë se emrat të cilët janë propozuar janë vlerësime të vetë subjekteve. Sa i përket ministrit të Punëve të Brendshme i cili është pak më i përfolur ne mendojmë se do të ishte shumë më mirë të jetë një figurë i ardhur nga sektori civil duke vlerësuar se është një sektor i ndejshëm dhe është më i afërt me qytetarët se sa me organe të caktuara të sigurisë. Mendojmë se qeveria teknike duhet ta ruaj rolin e saj në bazë të ligji që e parasheh marrëveshja e Përzhinës, të përgatisë vendin për zgjedhje”, deklarojnë nga Aleanca për Shqiptarët.

Qeveria teknike duhet të marrë mandatin më 3 janar dhe të organizojë zgjedhjet e parakohshme të 12 prillit./Alsat/

Exit mobile version