Site icon Telegrafi

Partitë që fituan zgjedhjet e vitit 2020, do të krijojnë qeverinë e re të Malit të Zi

Presidenti i Demokracisë së Re Serbe dhe një nga liderët e Frontit Demokratik (DF), Andrija Mandiq, tha sot se sërish janë bërë bashkë shumica parlamentare që fitoi zgjedhjet e 30 gushtit të vitit 2020.

“Këtu është marrëveshja politike. Përfaqësuesit e palëve që morën pjesë në bisedime kanë vënë nënshkrimet e tyre. Ndodhi ajo që shumë dyshuan se mund të ndodhte”, tha ai në konferencën për shtyp pas mbledhjes së “shumicës së vjetër”.

Ai deklaroi se partitë që fituan zgjedhjet arritën “lehtësisht deri tek një marrëveshje”, raporton vijesti.me.

“Në ditët në vijim do të fillojmë bisedimet për përcaktimin e elementeve të tjera si zgjedhja e kryesisë së re parlamentare dhe një qeverie e re. Publiku do të informohet për gjithçka. Seanca e Kuvendit do të mbahet së shpejti, gjithçka do të dihet”, tha ai.

Ai ka komentuar edhe deklaratën e kryetarit të Parlamentit Evropian për bashkëpunim me Malin e Zi, Vladimir Bilçik, se qeveria me DF nuk do të ketë mbështetjen e Bashkimit Evropian.

“Parimi që ne pranojmë është që nuk kërkojmë asgjë tjetër përveç asaj që na ka dhënë populli dhe nuk duam që në marrëveshje të përfshihen struktura që nuk kanë marrë mbështetjen e qytetarëve”, deklaroi Mandiq.

Ndryshe, Dritan Abazoviq është shkarkuar javë më parë nga posti i kryeministrit pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse të Serbisë. /Telegrafi/

Exit mobile version