Site icon Telegrafi

Partitë politike tregojnë kur do t’i zyrtarizojnë kandidatët për kryetar të komunave

Zgjedhjet lokale janë caktuar për datën 22 tetor, e partitë politike qysh më herët kanë filluar diskutimet për caktimin e kandidatëve për kryetar dhe asamble komunale.

Afati i fundit për certifikim i KQZ-së është data 22 gusht, kur partitë duhet të dorëzojnë emrat e kandidatëve.

Partia Demokratike e Kosovës pritet që brenda dy javësh më së largu t’i bëjë publik emrat e kandidatëve për kryetar të komunave.

“Po, brenda dy javësh i zyrtarizojmë kandidatët”, ka thënë, Blerand Stavileci nga PDK-ja.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka filluar me zgjedhjet e brendshme nëpër komuna, prej të cilave edhe do të dalin kandidatët për kryetarë dhe asambleistë.

Zëdhënësi i VV-së, Shkodran Hoti ka deklaruar se zyrtarizimi i këtyre kandidatëve do të bëhet varësisht nga zgjedhjet e brendshme që organizohen nëpër komunat e ndryshme të Kosovës.

Përgatitjet për zgjedhjet lokale në tetor nuk i ka ndalur as AAK-ja, ata janë duke punuar për identifikimin e kandidatëve dhe shumë shpejt pritet të dalin me emra konkretë.

“Zgjedhjet lokale tashmë janë caktuar dhe normal që ne pwr asnjë moment nuk jemi ndalë në mobilizimin edhe për këto zgjedhje. Është punuar edhe në identifikimin e kandidatëve të mundshëm për kryetar të Komunave, por edhe për ata që do të jenë në listën për asambletë nëpër Kosovë, e gjithë kjo ka ndodhur dhe vazhdon në konsultim të ngushtë me strukturat tona nëpër degë. Shpejt do të kemi një listë të plotë me emrat e AAK-së për të gjitha Komunat e Kosovës”, ka thënë për lajmi.net, Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kurse Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën, ka bërë të ditur se rreth datave 16 apo 17 gusht, kjo parti do t’i ketë 90 % të kryer emrat e kandidatëve.

Ai ka thënë se Nisma qe 1 muaj ka filluar me identifikimin e kandidatëve.

“Ne si kryesi faktikisht ka më shumë se një muaj që i kemi identifikuar kandidatët për kryetar dhe asamble. Afatin e fundit e kemi 22 gusht, mirëpo pavarësisht kësaj, një javë para certifikimit edhe njëherë do të mblidhen kryetarët e degëve dhe do ta shohim ku kanë mbërri. Përafërsisht kah i 16-ti apo 17-ti do t’i kemi 90% emrat punët të kryer”, ka thënë deputeti i zgjedhur i Nismës për Kosovën.

Kontakti me zyrtarë të LDK-së ka qenë i pamundur, për të kuptuar edhe nga ta se deri ku kanë arritur me përgatitje për zgjedhje lokale.

Si LDK-ja ashtu edhe partitë tjera, më së largu deri më 22 gusht duhet t’i kenë dorëzuar në KQZ emrat e këtyre kandidatëve, qoftë për kryetar ashtu edhe për asamblistë./Lajmi.net/

Exit mobile version