Zgjedhje dhe më pas ndryshime kushtetuese- kjo është gjëja më e mirë për vendin në këtë moment, shprehet ish ambasadori Andrej Lepavcov. Sipas tij, fillimisht duhet të pastrohet mjegulla politike në vend dhe të shihet pasqyra reale e forcave politike.
“Më pas të bëjmë qasje të re si ndaj vetë fqinjëve ashtu edhe ndaj Komisionit Evropian, i cili është shkrues zyrtar i kësaj kornizë negociuese që është më e diskutueshmja për ne. Ne duhet të udhëhiqemi nga ajo çfarë është më e mira për vendin tonë. Më e mira është tani të bëhet një rifreskim që të shohim “kush është kush” në këtë vend, për të parë se kush ka fuqinë dhe bagazhin më të madh politik për të bërë çdo ndryshim në vazhdim”, deklaroi Andrej Lepavcov- ish ambasador.
Me të pajtohet edhe ish ambasadori në Sofje, Marjan Gjorçev, i cili konsideron se kërkesat e bullgarëve janë joparimore.
“Nuk bëhet fjalë nëse bullgarët duhet të hyjnë në Kushtetutë, është fjala për kamuflazh. Është maja e ajsbergut, pas së cilës fshihet, së pari në nenin 5 të kornizës negociuese, rishikimi i historisë maqedonase, tutori i sistemit arsimor maqedonas, së treti ndryshimi i kujtesës kolektive të maqedonasve. Madje edhe për kornizat evropiane, kjo është e papranueshme”, u shpreh Marjan Gjorçev – ish ambasador.
Opinionisti Ivanov mendon se është mirë që të hapet procesi i miratimit të ndryshimeve kushtetuese, e më pas të shkohet në zgjedhje.
“Ndryshimet kushtetuese bëhen në tri faza. Pra, mund të hapen, pastaj janë zgjedhjet dhe më pas mbyllen nga përbërja e re parlamentare. Por kjo është e mundur vetëm me pako të mëparshme konsensuale, apo marrëveshje midis qeverisë dhe opozitës, diçka si shembulli i marrëveshjeve të Përzhinos, në marrëveshje të plotë me faza specifike të përcaktuara me data për votimet kushtetuese, dhe këto janë tre faza deri në përfundimin e procedurës kushtetuese”, tha Zoran Ivanov-opinionist.
Ivanov shton se Maqedonia dhe shoqëria kanë humbur shumë kohë, por tani varet nga vullneti i opozitës dhe qeverisë për të gjetur kompromis.