Site icon Telegrafi

Partitë politike mund të prodhojnë rebelimi social-politik

“Ndiqni grupin më të madh…që lufton për të drejtat Tueja..”

1. Portreti partiak

Rëndom thuhet se elementet kyçe të një partie politike duhet të jenë: Ideologjia që ka të bëjë me një kontingjent idesh apo konceptesh që mundohet t’i fuqizojë ajo në publikë, pastaj: Statuti, që në fakt është një përmbledhje kodesh, qëndrimesh dhe vendimesh ku në mënyrë më detale përshkruhen format, detyrat dhe sidomos obligimet e pjesëtarëve të asaj partie, si dhe: Programi politik, që duhet të dominohet përmes konkretizimit të një ideje konkrete (p.sh. të drejtat kombëtare, të drejtat sociale, mbrojtja e grave, rinisë, punëtorëve, ndërtimin e shtetit, etj.), e cila publikut të gjerë zakonisht i eksplorohet përmes debateve, grupeve parlamentare, mediave etj. pra formave të ndryshme të “kontaktit”, në mënyrë që të arrihet një qëllim i caktuar. E ai qëllim ka të bëjë me marrjen e pushtetit, pra implementimin e këtij programi e ideologjie të pranuar nga qytetaret, në mënyrë që vazhdohet realizimi i synimeve, qofshin ato sociale, politike, ekonomike, e mund të ndodhë edhe kulturore e ekologjike.

Në realitet duket që kur janë në pyetje organizatat partiake në kushtet dhe rrethanat e një pluralizmi fillestar, siç ishte ai i vendeve të tranzicionit, pra shteteve që në një mënyrë e kishin të realizuar identitetin e tyre kombëtar, pjesa më e rëndësishme apo ajo pjesa më mobilizuese që i fuqizojë masat e gjëra popullore, (apo dosido edhe pjesën amorfe të publikut) në projektet nacionale demokratike, na del pjesa e parë, pra elementi ideologjik. Në rastin e Kosovës, duket që ky element nuk ishte i dorës së parë, meqë procesi i realizimit të identitetit kombëtar kishte mbetur në gjysmë të rrugës, dhe si i tillë vendin e tij e zëri sintagma kombëtare e cila me vete mori edhe pranoi ideologjinë e secila e mundësojë këtë proces të realizimit (ani pse akoma gjysmak, pra jo në plotëni!) në kushte dhe rrethana pak a shumë specifike edhe me vetë faktin se rrugëtimi ishte dy binarësh: ai shtetërorë (kombëtarë) dhe ai demokratik që është një temë në vete e që me këtë rast nuk mund t’i kushtojmë vëmendje më të gjerë.

Por, nëse u adresohemi rrethanave të pasluftës, fenomeni i fuqizimit ideologjikë në Kosovë hetohet se gjithnjë fshihet apo të paktën partitë politike aktuale pretendojnë ta katapultojnë e në disa raste edhe “kontrabandojnë” përmes elementit kombëtarë, e që si pasojë po sjellë gjithnjë ngërçe e herë herë edhe konfuzion në raport me proceset e reja integruese që për synim afatgjatë nuk e kanë identitetin kombëtar, por atë ideologjikë të cilin në shkrimet e mëhershme pak a shumë jemi përpjekur ta elaborojmë nga këndvështrimi sociologjikë. Thënë më thjesht, problemet ideologjike, ato sociale, ekonomike, kulturore, etj. në Programet partiake Kosovare zënë vend sa për sy e faqe, apo të paktën të identifikohen me standardet unifikuese vetëm për të dërguar sinjale se janë si simotrat tjera në rajon dhe Evrope.

Sipas kriterit ideologjik tashmë të njohur, partitë politike duhet të përfaqësohen me petkun ideologjik, i cili më vonë ato i apostrofon si të majta, të djathta apo të mesit. Në Kosovë, si fenomen që është evident gjatë gjithë periudhës së pasluftës kemi në njërën anë prononcime ‘pro et contra’ këtij sistemimi logjikë të këtyre organizatave, kurse në anën tjetër veprimet e tyre shpesh ndodhë që të bien në kundërshti edhe me vetë statutin, ideologjinë dhe programin e tyre?!

Partitë politike kosovare veten e matin shpesh herë edhe me kriterin e madhësisë (pra numrit të votave të publikut, që në të gjitha zgjedhjet e deritanishme është kontestuar edhe për shkak të dyshimeve se ishin vjedhur, ishin kontrabanduar në mënyra dhe forma të ndryshme, pastaj kriterin e sjelljeve autoritare, që pak a shumë nuk e proklamojnë veten me këtë kriter edhe për shkak se në publik zgjon kërshërinë e identifikimit me ish partinë moniste, ku çdo gjë vendosej dhe rekomandohej nga lideri partiak, si edhe me kriterin e cilësimit të tipit të mbyllur dhe atij të hapur.

Me sa mund të shihet, kriteret e madhësisë, ato të autoritarizmit dhe ato të tipizimit të hapur dhe të mbyllur, në një mënyrë apo tjetër më së miri shfaqin karakterin dhe synimet ideologjike që pak apo shumë pak përdorën me aplikativitet masiv në diskurset publike qoftë në medie apo ato politike. Kosovës, duket që i mungon edhe një tip i partisë që nga disa shquhet si parti kadrovike, apo unë kisha më thënë parti teknokratësh (njerëzish të rëndësishëm dhe me reputacion të suksesit në sferat e biznesit në terrenin lokal), të cilët duke qenë të pakënaqur më mënyrën qeverisëse të pandanëve marrin iniciativa të ofrojnë programe (kryesisht) ekonomike vetëm e vetëm të rrisin bizneset e tyre lokale.

Gjithashtu, një tip tjetër që kujtojë duhet të marr vëmendjen e publikut kosovar, e që në literaturën politike sociologjike njihet si tip revolucionar i organizimit politik që në fakt ilustrohet me angazhimet apo qëllimet antikushtetuese, pra me një back graund tipik jo ideologjik (për këtë tip nuk është me rëndësi gjithaq kriteri ideologjikë sa ai strategjik), që mund të jetë i natyrës së një interesi tipik kombëtar e që si imperativ ka përmbysjen e sistemit aktual. Për të arritur synimet strategjike, ky tip partish zakonisht përdorë frymën makiaveliste (“qëllimi arsyeton mjetin”) dhe kombinon metodat e veprimit legal me ato kuazilegal. Nga shumë qarqe demokratike, këto parti politike, ani pse kanë qëllime në fillim fisnike, etiketohen shpesh herë edhe si parti “ekstremiste” apo edhe “antidemokratike”.

2. Lideri Made in Albanicus

Një tjetër cilësim kujtoj që i mungon çështjes së dinamikës së kategorizimit, kur janë në pyetje kriteret e cilësimit, pra kur janë në pyetje çështja e identifikimit të partive kosovare mendoj që padyshim mund të merret edhe ai i raportit apo karakterit të raportit të brendshëm partiak, e që ka të bëjë kryesisht me hierarkinë apo subordinimin e njerëzve kyç, që në një mënyrë pretendojnë se janë formësuesit apo vetë “baballarët” e këtyre partive politike. Sipas këtij kriteri Made in Albanicus, pothuajse të gjitha partitë politike kosovare, sensin për t’i subordinuar në mënyrë autoritare mëkëmbësit tjerë e shfrytëzojnë si një guide të qartë, por çka është interesant asnjëherë të pathënë në prezencë, as në mungesë të tyre! Një tjetër karakteristikë, kujtoj tashmë e shndërruar edhe në dukuri padyshim që është ajo e portretit të autoritetit të liderit, që kur të analizohet me dioptrinë sociologjike, këto personalitete na dalin me një portret tipik karizmatik, tashmë të njohur në shoqëritë tribale apo shoqëritë e vonuara të cilat çështjen dhe motivet e mosrealizimit të identitetit shtetëror e shfrytëzojnë dhe e përdorin në mënyrë mjeshtërore jo vetëm për të ushtruar trysninë e tyre mbi pjesëtarët tjerë partiak, por çka është edhe më e keqe për të sjellë shpesh herë edhe vendime kontradiktore dhe në kundërshti me vetë programet dhe orientimet e proklamuara ideologjike.

Çdo parti politike e ka hierarkinë e vet, pra shkallaren ose piramidën e vet organizuese ku anëtarët e partive sistemohen sipas kritereve, shijeve dhe sidomos interesave e shërbimeve që ata i kryejnë liderit partiak, apo vetë partisë në faza të ndryshme të emancipimit politikë.
Pozita në shkallaren partiake në një mënyrë përcakton edhe statusin e anëtarit në atë parti, i cili jo domosdoshmërish mund të jetë edhe i lëmisë së biznesit, asaj intelektuale, fshatarit, pra edhe njeriut të thjesht, i cili sjell fuqi politike përmes votës së tij

Sistemet e stratifikimit partiake dallojnë sipas asaj se sa u lejohet të lëvizin nga një status apo pozitë më të ulët partiake në një pozitë më të lartë

3. Rebelimi social prodhon rebelim politik

Ashtu siç kemi konstatuar në shkrimet e mëhershme ky koncept aludon në një lloj gjendjeje apo statusi të ankoruar social që ka për qëllim ruajtjen dhe kultivimin e një lloj statusi apo norme ekzistuese sociale që është normuar në sistemin e caktuar vlerash dhe sistemesh sociale, ashtu mund të themi se mund të aludojë edhe në veprimet dhe tendencën për ta përmbysur tërë këtë sistem të ndërtuar vlerash vetëm e vetëm të instalohet sistemi tjetër më i ri që gjithsesi duhet të jetë në koherencë me zhvillimet dhe standardet e kohës në të cilën ai fillon të instalohet.

Nëse i adresohemi kuptimit të parë, hetojmë që ky lloj rebelimi social në një fazë të caktuar kohore (zakonisht periudha e rezistimit ndajë sistemit tjetër që pretendon të instalohet në etnopsikologjinë dhe mentalitetin e një shoqërie) është shumë pozitiv dhe shumë dobiprurës edhe për shkak se i reziston sistemit tjetër antipod kulturorë e në instancë të fundit edhe civilizues, kuptimi i dytë, do thosha më tepër është i orientuar kah denigrimi, kompremetimi e deri tek përmbysja e sistemit të mëhershëm social. Dukuria e kontestimit, të kësaj kategorie në shoqëritë e ndryshme dhe në periudha të ndryshme kohore padyshim që ka zgjuar dhe ende zgjonë interesimin e sociologëve të njohur. Të shohim si manifestohet ai në vendet dhe shtetet me pak përvojë demokratike.

Duhet thënë gjithashtu që ky koncept shpesh herë ngatërrohet me rebelimin politik që ka një kuptim tjetër fare( të kryengritjes, revolucionit, pra të një ndërrimi rrënjësor të raporteve shoqërore?!)dhe që në shumë raste në historitë e popujve të ndryshëm u ka prij ndryshimeve sociale dhe atyre ekonomike. Në rastin e Kosovës, ne kemi identifikuar Lëvizjen studentore të viteve -80-ta dha ato -90-ta së bashku me lëvizjen joviolente të identifikuar me Ibrahim Rugovën, kurse në botë: rebelimin në Tien an Men (Kinë), lëvizjen e hipikëve, lëvizjen në Çekosllovaki, pasta atë në Gjeorgji, kurse sot lëvizjen Occupy Wall Street, Occupy Oklahoma, etj.

Nëse i analizojmë, me dioptrinë e një sociologu kuptojmë që kriteret apo masa e argumentit për të krijuar pretekstin e fortë e në fund edhe për të mposhtur sistemin e vjetër tw vlerave ishin kryesisht të natyrës sociale, kombëtare, kolonialiste, etj., pra një gamë e tërë argumentesh dhe pretekstesh socio-politike e ekonomike që dosido në faza të ndryshme emancipuese në shoqëri të ndryshme, sjellë pasoja dhe reperkusione të ndryshme… Bartës të këtyre proceseve padyshim që janë partitë politike që nuk kanë instaluar akoma elementet ideologjike, e që shërbehen me floskulat dhe ikonografinë kombëtare…
 

Exit mobile version