Minimale janë gjasat që këtë vit të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare në vend.
Partitë politike pritet të ulen për të diskutuar në një tryezë të përbashkët gjatë të mërkurës së javës që vjen.
Përfaqësuesit e partisë më të madhe opozitare (LDK) kanë njoftuar gjatë ditës së djeshme se të gjitha subjektet politike do t’i marrin zyrtarisht ftesat për të qenë në këtë takim.
Sipas tyre, nëse tryeza, e cila ndër të tjera ka për synim që të arrijë dakordim për zgjedhje të parakohshme, dështon, atëherë do t’i nisin procedurat për ngritjen e mocionit të votëbesimit të Qeverisë. Megjithatë, përfaqësuesit e partive në koalicion janë shprehur të vendosur se këtë vit nuk do të ketë zgjedhje, shkruan Zëri.
Shumica e partive politike kanë vlerësuar se duhet marrë pjesë në tryezën e thirrur nga LDK-ja.
Përfaqësuesit e partive politike në Kosovë kanë thënë se ende nuk i kanë shqyrtuar ftesat, porse janë pro tryezave, në të cilat diskutohet për rrugëzgjidhje të çfarëdo problemi.