Partitë opozitare shqiptare Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike, kanë reaguar pas vizitës së djeshme të kryetares së Komisionit Evropian në Shkup. Këto parti sot në konferencë për shtyp i parashtruan disa pyetje partive në pushtet, pas vizitës së Ursula von der Leyen.
Ata pyetën Qeverinë nëse i kanë treguar Von der Leyen për “planin e kthimit të Nikolla Gruevskit në vend”.
“Sot jemi këtu para Qeverisë, sepse e dimë se problemi më i madh për anëtarësimin tonë të plotë në BE është këtu, në këtë objekt. Prandaj, sot shfrytëzojmë rastin të bëjmë pyetjet e mëposhtme:
A i keni treguar zonjës Von Der Leyen për aventurën e kthimit të Gruevskit? Dhe a i shpjeguat se shpresa kryesore, natyrisht e rreme për BE-në, u bë politikani që më së shumti e largoi vendin nga BE-ja gjatë kohës që ai ishte kryeministër? A ia shpjeguat se në fakt BDI është tërhequr nga ndryshimet kushtetuese? A i thatë se fokusi i vetëm i BDI-së është të bëj përpjekje që përmes kthimit të Gruevskit të bëjë Pazar me VMRO-DPMNE-në, ku do të sjellë në tryezë edhe deputetët e LSDM-së? A e mori vesh zonja Von Der Leyen se BDI po kërkon një Qeveri të zgjeruar pas zgjedhjeve parlamentare për të ruajtur kapitalin e fituar ilegalisht?”, thonë nga fronti opozitar.
Prej atje gjithashtu shtojnë se ndryshimet në Kodin Penal që mundësuan amnistinë e shumë ish-zyrtarëve përmes keqpërdorimit të flamurit të BE-së “është konfirmimi më i mirë se BDI-ja keqpërdor integrimin evropian si mbulesë për biznese personale dhe interesa të ngushta partiake”.
“Shqiptarët nuk do ta falin kurrë flirtin e BDI-së me Nikolla Gruevskin, i cili i shkaktoi dëm të madh popullit tonë. Në zgjedhje, kurdo që ato të mbahen, pason dënimi i BDI-së”, thonë nga fronti opozitar.