Partitë në pushtet në RMV sot kanë kumtuar se do organizojnë manifest mbështetës për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE, shkruan Telegrafi Maqedoni.
Në Manifest thuhet se partitë politike në Kuvend, pavarësisht nga përbërja e shumicës qeverisëse, obligohen të bashkëpunojnë, por edhe ta zhvillojnë procesin e negociatave në mënyrë krejtësisht të hapur dhe transparente me qëllim që publiku më i gjerë të ketë mundësi ta shpreh mendimin e tij lidhur me kushtet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Theksojmë edhe rëndësinë e një roli aktiv të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në procesin e anëtarësimit në BE. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të vendosin për anëtarësim në BE përmes një referendumi që do të mbahet para nënshkrimit të Marrëveshjes për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, gjegjësisht pas përfundimit të negociatave”, thuhet në Manifest.
Manifesti gjithashtu e obligojnë Qeverinë që në mënyrë konzistente t’i përmbahet përcaktimit për respektimin e pakushtëzuar të veçorive të gjuhës, identiteteve, historike dhe kulturore të komuniteteve, si elemente të panegociueshme me Bashkimin Evropian, duke theksuar se Qeveria nuk do të pranojë të diskutojë për zgjidhje tjetër për gjuhën maqedonase përveç asaj që është përcaktuar në Kornizën negociuese.
Në fund, në deklaratën e liderëve të partive politike , ata konstatojnë se Kuvendi duhet të miratojë amendamentet kushtetuese për mbajtjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të Konferencës së dytë Ndërqeveritare për përfundimin e fazës hapëse të negociatave, pa vendime shtesë nga shtetet anëtare, ndërsa Qeveria dhe të gjitha autoritetet kompetente për politikë të jashtme të veprojnë në kuadër të qëndrimeve të përcaktuara në Manifest.
Manifesti është iniciativë e këtyre subjekteve dhe mbetet i hapur për mbështetje të gjerë shoqërore: Bashkimi Demokratik për Integrim, Lidhja Social demokrate e Maqedonisë, Aleanca për Shqiptarët, Partia e re social-demokrate, Partia Liberale Demokratike, Partia Demokratike Shqiptare, Partia Lëvizja e Turqve, Partia Demokratike e Turqve në Maqedoni, Rindërtimi Demokratik i Maqedonisë, OBRM-Partia Popullore, Partia e Pensionistëve dhe Partia e Serbeve./Telegrafi/