Telegrafi

Partitë në Maqedoni vazhdojnë fushatën, kërkojnë besimin e qytetarëve

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut i kanë vazhduar aktivitetet në kuadër të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e 15 korrikut.

Telegrafi Maqedoni ju sjell të përmbledhura aktivitetet e ditës së djeshme të partive, të cilat do të garojnë në zgjedhje më 15 korrik.

Koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM, në të cilin bënë pjesë edhe Lëvizja Besa, mbrëmë ka mbajtur tubim në Tetovë.

“BDI i kthehet nacionalizmit dhe ofendon inteligjencën e qytetarëve. A nuk e dinë se e dimë veprimin e tyre. Edhe ata humbin nga këto politika kërcënuese. Qytetarët janë ata që thonë se kush do të jetë deputet, kush do të jetë ministër dhe kush kryeministër. Ne në LSDM kemi shqiptar dhe deputetë, kryetarë komunash dhe ministri, s’kemi problem as për kryeministër e as për kryetar, por këtë vendim e marrin qytetarët”, tha Zaev në Tetovë.

Koalicioni i udhëhequr nga OBRM-PDUKM gjatë ditës së djeshme ishte në Demir Kapi për ta promovuar programin zgjedhor ‘Rindërtimi i Maqedonisë’.

Koalicioni ASH dhe Alternativa në kuadër të fushatës ‘Tash është koha’, gjatë ditës së djeshme hapën shtabin komunal në Kërçovë.

Kreu i ASH-së, Ziadin Sela theksoi se nuk do të lirohen nga puna administratorët, përkundrazi ata do t’i caktojnë në vendet e caktuara të punës.

“Ne do t’i kthejmë vendet e punës te shqiptarët dhe do t’ia vendosim fundin vjedhjes së parave nga populli. Do të bëjmë që tatimet tuaja të mbesin në nivel lokal në Kërçovë dhe nuk do të lejojmë që djersa e shqiptarit të shkojë te disa persona”, tha Sela.

Ndërsa kandidati shqiptar nga radhët e BDI-së, Naser Zyberi gjatë ditës së djeshme qëndroi në Tetovë ku vizitoi bizneset e vogla dhe sipërmarrësit ndërsa gjatë ditës së sotme qëndron në Gostivar./Telegrafi/