Site icon Telegrafi

Partitë e vogla kërkojnë uljen e pragut zgjedhor

Në dëgjimin publik për ndryshim-plotësimin e ligjit për financimin e subjekteve politike si dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, përfaqësuesit e partive të vogla në vend kërkuan uljen e pragut zgjedhor për zgjedhjet parlamentare dhe financimin e subjekteve politike që nuk bëhen pjesë e Kuvendit.

Ndërkaq, Bekim Gashi nga partia më e madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje, theksoi se kjo parti përkrah projektligjin e sjellë nga qeveria, pasi që sipas tij rrit transparencën dhe llogaridhënien e partive politike.

Megjithatë, për shpenzimet për secilin e aktivitet që duhet të raportohen në fund të muajt, Gashi tha se kjo është më shumë një iniciativë burokratike.

Në këtë dëgjim publik në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Tranfere, nga Partia Demokratike e Kosovës, Betim Gjoshi ka thënë se nuk ishte dashur të ishte pjesë e ndryshimit Ligji për zgjedhjet, ndonëse ligji për financimin e partive është i nevojshëm për reformë, transmeton KP.

“Ligji për zgjedhjet nuk duhet të ndryshohet”, tha ai, duke inkurajuar që të rritet transparenca e financimit të partive politike.

Çerkin Dugolli nga Nisma Socialdemokrate ka kërkuar që të rregullohet financimi i partive politike nga shteti edhe për partitë që nuk e kalojnë pragun 5 për qind. Ai po ashtu ka thënë se Kosova nuk ka nevojë të ketë prag 5 për qind për përfshirjen e partive në parlament.

Heqjen e pragut 5 për qind e ka kërkuar edhe Zef Morina nga Partia Shqiptare Demokristiane.

Edhe Avni Çakmaku nga partia Fjala ka thënë se ulja e pragut është e domosdoshme.

Avni Klinaku nga Lëvizja për Bashkim tha se partitë e vogla janë të diskriminuara, dhe se kjo sipas tij ndikon që në të ardhmen të “mbytet” ideja e krijimi të partive të reja.

Ndërsa, Nol Nushi nga PSD-ja tha se projektligji në fjalë nuk është në frymën e demokracisë. Ai kërkoi të ndryshohet forma e financimit të partive. Sipas tij, sot partia më e madhe në vend merr 2 milionë euro në vit.

Partitë e vogla politike patën vërejtje edhe te shqiptimi i gjobave. /Telegrafi/

Exit mobile version