Telegrafi

Partitë bëjnë fushatë para fushatës

Gati tri javë para fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit subjektet politike në Kosovë kanë filluar fushatën.

Pankarta të disa partive shihen gjithandej Kosovës, përderisa liderët vazhdojnë premtimet megalomane, duke thënë se vendi do të shndërrohet në Zvicër të Ballkanit, shkruan sot, gazeta Zeri.

Një premtim të tillë ditë më parë e bëri kreu i PDK-së Kadri Veseli, partia e të cilit ka qeverisur me vendin për gati një dekadë.

Shefja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka thënë për gazetën “Zëri” se të gjitha partitë duhet paraprakisht të marrin leje për fillim të fushatës, por siç tha ajo kjo që po bëjnë partitë politike pa u shpallur zgjedhjet nuk është fushatë por parafushatë.

Ajo tha se një gjë e tillë nuk mund t’u ndalohet, pasi që nuk ka asnjë instrument ligjor me të cilin do të mundë të parandalohej një aktivitet i tillë.

“Partitë politike kanë nevojë për leje nga KQZ-ja për ta filluar fushatën zgjedhore, por fatkeqësisht Ligji mbi Zgjedhjet e Përgjithshme nuk e ka paraparë parafushatën. Po e quaj parafushatë sepse fushata zgjedhore zyrtare fillon më 31 maj dhe përfundon më 9 qershor, ndërsa ne si KQZ nuk e kemi asnjë instrument ligjor me të cilin mund t’i parandalojmë subjektet politike që të bëjnë fushatë. Pra ligjërisht KQZ-ja nuk mund t’ua ndalojë një gjë të tillë”, ka deklaruar Daka. /Zëri/