Site icon Telegrafi

Participim, përballje, protestë

Një ditë prej tani Kosova shënon tetëvjetorin e pavarësisë. Gjendja e vendit është sikur billbordat verdhë e kaltër të porositur nga qeveria, të vendosur nëpër akset kryesore të qytetit- të zbrazët, pa kuptim, pa kreativitet, të lodhur.

Kurrë më shumë se këtë vit Kosova nuk e ka ndjerë depresionin e tranzicionit. Qeveria është diskredituar nga skandalet e shumta, për të cilat tani as nuk bën mundimin të përgjigjet.

Parametrat ekonomikë në rënie, paaftësia e shlyerjes së borxheve ndaj kompanive të kontraktuara për punë publike, sinjalizon se deficiti buxhetor po fshihet. Një investigim nga agjenci të specializuara e të paanshme ndërkombëtare është i nevojshëm.

Për të qenë fer, duhet thënë se ekonomia kudo ka tkurrje si rezultat i rënies së çmimeve globale të mallrave, por kjo qeveri ia ka dalë që një̈ situatë të keqe, ta bëjë shumë të keqe për padije dhe mosdashje. Për të frenuar rënien e popullaritetit, ka shpenzuar në mënyrë ekstravagante në rritjen e pensioneve dhe pagave në një kohë që fjalën reformë e kanë fshirë nga fjalori.

Nuk ka një ministri në këtë qeveri që të bëjë reforma. Mu për shkak të paaftësisë për reforma, sektori publik në Kosovë është i krahasueshme në madhësi me shtetet sociale evropiane, por është jo-eficient sikur ekonomitë e botës së tretë.

Për ta rinovuar imazhin, kjo qeveri ka tërhequr rreth vetes persona të ‘rinj’, por që shfrytëzohen reciprokisht: dy partitë̈ i përdorin "të rinjtë" si kozmetikë për kinse ndryshim, ndërsa të ardhurit punojnë si mercenarë politikë që nuk kanë besnikëri as ndaj partisë, as ndaj programit ani pse zor definohet çka përmban programi i kësaj qeverie.

Sot, ndryshimi është më shumë se i domosdoshëm. E dëgjojmë të na e thonë çdo ditë qytetarët dhe komentatorë ndërkombëtarë që i njohin rrethanat në Kosovë.

Në këto kushte, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është ndër forcat kryesore në krye të ndryshimit. Brenda bllokut qeveritar, por me një profil shumë të dalluar në relievin politik të Kosovës, AAK i është besnike parimeve të anëtarësisë së vet. Javën e kaluar Ramush Haradinaj e prezantoi qëndrimin e AAK-së. Ai është lideri i partisë që përcolli me besnikëri vullnetin e mbështetësve tanë.

Z. Haradinaj iu përgjigj pozitivisht propozimit të presidentes për dialog. Ai shkoi si i ftuari i saj në tryezë. Jo i PDK-së, jo i LDK-së, por i një̈ personaliteti mbipartiak – presidentes së vendit. Aty, ai komunikoi zyrtarisht, qëndrimin tonë që e kemi bërë të njohur në forma dhe forume tjera.

Në rrethana të arsyeshme, ne komunikojmë̈ në mënyrë të arsyeshme, duke e pasur shumë të qartë se izolimi i vendit dhe vetëizolimi i partisë nuk janë̈ as të pëlqyeshme, as të dobishme.

Duke shkuar në tryezë, Ramush Haradinaj mbajti qëndrimin që pritet nga një̈ lider politik. Aksionin e tij do ta përkufizoj si: participim, përballje, protestë.

Duke iu përgjigjur ftesës së kryetares së shtetit, ai dëshmoi participim, vullnet për të dhënë kontribut në zgjidhjen e krizës.

Duke u ulur në një̈ tryezë me rivalët politikë ai u përball me ta. Deklarata e z. Haradinaj ishte e qartë dhe e prerë: zgjidhja vjen përmes zgjedhjeve.

AAK nuk lejoi t’i imponohet agjenda nga kapësit e shtetit, ajo e vendosi vetë agjendën: nëse flasim për dalje nga kriza, ulemi e flasim për zgjidhje të plotë dhe jo për arnime. E nëse drejtuesit autoritarë të koalicionit të dështimit nuk dëgjojnë, alternativa janë protestat në rrugë.

Formati i bisedave do duhet ndryshuar, e kjo do të vendoset sipas vullnetit te votuesve. Tanimë është bërë e qartë që dy të tretat e qytetarëve janë kundër bisedimeve Kosovë-Serbi siç ato po zhvillohen, për shkak të rezultateve shumë të paqëndrushme dhe kundërproduktive.

Mesazhi ynë̈ dhe i kryetarit tonë është i qartë: rënia e Kosovës duhet ndalur dhe ne jemi këtu për ta frenuar rënien. Kjo është porosia që AAK do të përcjellë këtë 17 shkurt, duke uruar që viti i nëntë i pavarësimit të vendit, në 2017-ën, të jetë më i qetë e më i begatë për kosovarët.

(Autori është ekonomist dhe sipërmarrës. Gjithashtu është nënkryetar i AAK-së)

Exit mobile version