Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe Drejtori i ashtuquajturës Zyre për Kosovën, Petar Petkoviq po vazhdojnë bisedimet në Bruksel me prezencën e Përfaqësuesit të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak rreth targave të Serbisë me akronime të qyteteve të Kosovës.
Por, Partia Serbe e Kosovës se tashmë kjo çështje ka përfunduar dhe se presidenti serb ka hequr dorë nga këto targa.
PKS ka bërë të ditur se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shkelur Kushtetutën dhe pa vendim të Qeverisë dhe Kuvendit të Serbisë, ka “anuluar targat serbe për Kosovë”.
PKS-ja thekson se “të gjithë ata që kishin shpresën më të vogël se lufta e Beogradit për të drejtat dhe të ardhmen tonë ishte e sinqertë, duhet ta dinë se janë mashtruar”.
Siç theksohet në njoftim, “nga dje, 22 nëntor 2022, inspektimet teknike në Kosovë janë njoftuar nga MPB-ja e Republikës së Serbisë se ndalohet dhënia apo vazhdimi i lejeve të komunikacionit për targa (KM, PR, PZ, GL, UR, PE)”.
“Kjo lëvizje e fundit dhe arbitrariteti i një njeriu shkatërroi çdo mundësi për një luftë të mëtejshme për ruajtjen e targave serbe dhe nuk ka asnjë sinjal më të qartë se tradhtia është arsyeja e kësaj drame të inskenuar dhe histerisë së paraluftës që ka ushqyer mediat shtetërore që nga maji i vitit 2022”, thuhet në njoftimin e Partisë së Serbëve të Kosovës.
Kujtojmë se edhe analisti politik serb, Dushan Janjiq ka thënë se Vuçiq ka propozuar në Bruksel që Serbia të mos shtypë targat e qyteteve të Kosovës (KM, PE, PR, PZ, DJ, GL, UR) në të ardhmen, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar garanci nga Bashkimi Evropian dhe SHBA se ajo do të respektohet dhe se do të jetë pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse ndërmjet dy vendeve.
Kështu, sipas Janjiq, në vitin e ardhshëm pronarët e veturave në veri të Kosovës me targa të qyteteve të Kosovës të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë do të duhet të riregjistrojnë veturat e tyre.
“Në Kosovë do të mund të lëvizin vetura me targa RKS dhe SRB të njohura ndërkombëtarisht, por jo automjetet me targa të qyteteve të Kosovës të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë. Prandaj, banorët e veriut të Kosovës që nuk duan targa RKS do të duhet të regjistrojnë vendbanimin e tyre në Serbinë qendrore dhe të regjistrojnë veturat e tyre në p.sh. KG, BG, KŠ, LE dhe targa të tjera”, ka shpjeguar Janjiq.
Ai ka vlerësuar se numri i veturave me targa të qyteteve të Kosovës të lëshuara nga MPB-ja e Serbisë shumë shpejt do të zvogëlohet në një numër simbolik.
Ndryshe, vendimi i qeverisë për shtyrjen e shqiptimit të gjobave për vozitës me targat e lartcekura skadon gjatë ditës së nesërme (e mërkure), megjithëse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që vendimi të shtyhet për së paku dhjetë muaj. /Telegrafi/