Partia në pushtet në Austri paraqiti në Parlament projektligjin që lejon konsumimin e duhanit në bare dhe restorante, pavarësisht kundërshtimit popullor.
Pakënaqësitë janë rritur ndjeshëm kundër kësaj nisme, e cilësuar nga opozita si hapa të mëdhenj prapa në aspektin e politikës së shëndetësisë, duke penalizuar Austrinë për të mbetur një ndër shtetet e fundit të Evropës ku është e mundur duhanpirja në ambientet ku konsumohen pije.
Projektligji i kërkuar nga partia e ekstremit të djathtë FPO, që hyri në muajin dhjetor në koalicionin qeverisës me kancelarin e ri konservator (ÖVP) Sebastian Kurz, që pritet të shqyrtohet në javët e ardhshme, synon të anulojë një ligj për ndalimin e plotë të duhanpirjes në restorante të miratuar në 2015.
Një peticion zyrtar kundër këtij projektligji i lëshuar në fillim të shkurtit nga Urdhri i Mjekëve numëronte sot më shumë se 420 mijë firma ose gati sa 5 për qind e popullsisë së përgjithshme të vendit dhe niveli simbolik i 500 000 është një shifër e prekshme sipas iniciatorëve të projektit.
Sipas Eurostat, rreth 13 mijë persona vdesin çdo vit si pasojë e duhanpirjes në Austri, një shtet i renditur në vendin e tretë për nivelin e lartë të duhanpirjes në Bashkimin Evropian. /Telegrafi/