Partia Komuniste e Kubës ka njoftuar se Miguel Diaz-Canel do të pasojë Raul Castron, si sekretar i parë i partisë.
Diaz-Canel, i cili në vitin 2018 pasoi Castron si president i Kubës, ishte përzgjedhur gjerësisht për postin ndoshta më me ndikim të udhëheqësit të partisë.
Tranzicioni do të thotë që ishulli do të qeveriset nga dikush tjetër përveç Fidel ose Raul Castros për herë të parë që nga revolucioni kuban në vitin 1959, raporton bbc.
Diaz-Canel shihet si besnik ndaj Castros dhe modelit të tyre ekonomik. Duke folur të Premten, kur Diaz-Canel nuk ishte emëruar zyrtarisht ende si sekretar i parë, Raul Castro tha se do t’ia dorëzonte udhëheqjen një brezi të ri “plot pasion dhe frymë anti-imperialiste”.
Në moshën 60 vjeç, Diaz-Canel është pothuajse 30 vjet më i ri se paraardhësi i tij, transmeton Telegrafi.
Delegatët e Partisë Komuniste zgjodhën një komitet të ri qendror të dielën, por pozicionet drejtuese u zbuluan vetëm të hënën.
Kujtojmë se 89-vjeçari Castro kishte qenë në këtë post që nga viti 2011, kur mori detyrën nga vëllai i tij i madh, Fidel Castro.
Midis tyre, të dy vëllezërit kanë qeverisur Kubën që nga revolucioni i vitit 1959, i cili përmbysi sundimtarin autoritar gjeneral, Fulgencio Batistas. /Telegrafi/