Aktivistët e partisë ekstremiste të djathtë AfD bënë një incident në qytetin gjerman Karlsruhe, kur shpërndanë fletushka që ngjanin me bileta aeroplani për migrantët.
Në fletushka shkruhej se “rruga e vetme për në Gjermani është rikthimi”, një mesazh i përsëritur shpesh nga liderja e AfD-së, Alice Weidel, në tubimet parazgjedhore dhe pjesë e programit të sapo miratuar të partisë.
Mesazhet u shpërndanë në zona të qytetit ku jetojnë shumicë migrantët, çka çoi në hapjen e një hetimi për një vepër të mundshme penale “për thirrje për urrejtje dhe intolerancë”.
Nga ana tjetër, dega lokale e AfD-së në Karlsruhe pretendon se bëhet fjalë për një fushatë parazgjedhore dhe se migrantët nuk ishin të synuar veçmas.
Biletat e rreme shkaktuan alarm mes liderëve politikë kryesorë në Gjermani, shkruan zdf.
“Askush nuk do të vijë në Gjermani nëse kanë ndjenjën se këtu sundon racizmi, dhe kjo është racizëm i pastër”, tha kandidati për kancelar nga partia e Gjelbër, Robert Habeck.
Agjencia Federale e Inteligjencës në Gjermani e ka renditur AfD-në si një organizatë ekstremiste të dyshuar. Megjithatë, partia aktualisht mban vendin e dytë sipas sondazheve parazgjedhore, pas një rritjeje të dukshme të mbështetjes në muajt e fundit.
Pikërisht një vit më parë, partia ishte subjekt i protestave masive në të gjithë Gjermaninë, pas raportit hetimor të Correctiva, i cili zbuloi se politikanë të AfD-së kishin marrë pjesë në një takim të ekstremistëve të djathtë, ku u diskutua plani i “rikthimit” për deportimin e migrantëve dhe “qytetarëve të pas-asimiluari”. /Telegrafi/