Partia e Serbëve të Kosovës (PKS) ka reaguar pas marrëveshjes për dokumente ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se kjo paraqet një fitore të madhe për kryeministrin Albin Kurti.
“Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq sot konfirmoi edhe një herë se serbët në Kosovë nuk kanë shtet, por iluzion shteti, të drejtuar në Beograd dhe përmes mediave shtetërore. Serbët në Kosovë mbeten vetëm dhe të lënë në vullnetin e Perëndimit dhe Qeverisë së Kosovës”, thuhet në reagim.
Këtë fitore të madhe të Albin Kurtit, sipas PKS-së, e kanë konfirmuar të gjithë serbët që mbajnë mend më shumë se dhjetë ditë.
“Kjo “fitore e Serbisë” është vetëm një sinjal për serbët që të largohen me forcë nga Kosova dhe ta kërkojnë të ardhmen e tyre në një vend më normal. Kemi frikë se serbët në Kosovë nuk do ta mbijetojnë fitoren e radhës së Aleksandar Vuçiq”, përfundon reagimi.