Telegrafi

Partia e Abazoviqit, URA i kundërpërgjigjet Gjukanoviqit: Votuesit të kanë gjykuar, gjykatat janë ende në pritje

Nisma qytetare URA i është përgjigjur deklaratës së Milo Gjukanoviqit se Dritan Abazoviq do të gjykohet nga votuesit, gjykatat dhe historia.

URA, e kryesuar nga kryeministri malazez Dritan Abazoviq, thekson se tema të tilla në plan të parë duhet t’i nxjerrin vetëm ata me krizë identiteti, që kanë ndryshuar njëqind ideologji, transmeton vijesti.

Në njoftim thuhet se presidenti i shtetit, Milo Gjukanoviq, është gjykuar nga votuesit në disa cikle zgjedhore, ndërsa gjykatat dhe historia janë ende në pritje, shkruan vijesti.

“Ndërsa Gjukanoviq përhap intolerancë, vlerësime arbitrare dhe marrëzi për kërcënimin e shtetit përmes mediave të tij të angazhuara nga rajoni, URA dhe lideri i saj kujdesen për atë që është interesi më i madh i shtetit, që është një luftë e pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha GP URA.

Lexo po ashtu Gjukanoviq: Qëllimi i 'Ballkanit të Hapur' është zhdukja e Kosovës, BeH, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut

Ata thonë se Gjukanoviq dhe politikanë si ai janë pengesat më të mëdha në rrugën evropiane të Malit të Zi dhe të gjithë rajonit.

“Të infektuar nga virusi i së kaluarës, paranoja dhe zemërimet personale me të cilat kanë mbajtur të gjithë rajonin në nofullat e nacionalizmit, korrupsionit dhe krimit për dekada. Vetëm ata me krizën e tyre të identitetit (si Gjukanoviq), që kanë ndryshuar njëqind ideologjitë, kanë nevojë për të nxjerrë në plan të parë tema të tilla. Prandaj, vlerësimi i Gjukanoviqit, i cili e sheh Dritan Abazoviqin si pengesë për një sistem të tillë vlerash dhe një kontekst të tillë shoqëror, nuk është befasues”, shkruan URA.

Ata shtojnë se pavarësisht diskursit të lartpërmendur, “i cili, siç mund ta shohim, presidenti i vendit ende e ka për zemër, duke ushqyer me të fantazmat e së shkuarës”, pjesa më e madhe e Malit të Zi është e përqendruar te e ardhmja, dhe është evropiane.

“Ajo e ardhme është e privuar nga kthimi i vazhdueshëm në të kaluarën, për shkak të së cilës i gjithë rajoni ka ngecur me dekada, duke mbetur prapa BE-së”, përfundon komunikata. /Telegrafi/