Telegrafi

Parolo beson te fitorja ndaj Spanjës

Rriten temperaturat në prag të duelit të nxehtë mes Italisë dhe Spanjës që do të zhvillohet këtë të hënën në orën 18:00.

Në kampin e kombëtares së kaltër ende djeg ajo e humbje e thellë me rezultatin 4-0 e pësuar në finalen e Evropianit të vitit 2012-të që u zhvillua në Kiev.

Gjithsesi, Marco Parolo një prej futbollistëve më të rëndësishëm, të përfaqësueses italiane mendon se këtë herë situata ndryshon nga 4 vite më parë dhe Italia e ka potencialin, për ta eliminuar nga Evropiani Spanjën.

“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por ne po përgatitemi mirë dhe do të nxjerrim gjithë zjarrin që kemi brenda për të fituar ndaj Spanjës. Duam të luajmë me entuziazëm kundër tyre. Kemi pasur një ecuri të mirë deri tani në Evropian dhe unë jam i bindur se nëse luajmë me përulësi, përkushtim dhe sakrificë, mund të t’ia dalim. Duhet medoemos të zbatojë të gjitha këshillat që do të na japë trajneri”, transmeton SS.

Të Hënën në Paris, Parolo do të ketë përballë një mesfushor të jashtëzakonshëm si Andres Iniesta. Futbollisti i Lazios nuk nguron ta përgëzojë spanjollin për të gjitha ato që ka arritur në karrierë.

“Iniesta është një lojtar i mrekullueshëm. Ai është një prej idhujve të mi sepse kur unë nisa të spikatja në futboll, Andres kishte vite që luante në nivelet më të larta. Një futbollist të tillë mund ta frenojmë vetëm nëse luajmë si skuadër”.