Telegrafi

Parlamenti turk drejt zgjedhjeve të parakohshme

Gjithsej 386 ligjvënës nga Partia qeverisëse për Drejtësi dhe Zhvillim (AK), dhe partitë opozitare Partia Popullore Republikane (CHP) dhe Partia Lëvizja Nacionaliste (MHP) votuan në favor të propozim-ligjit

ANKARA (AA) – Parlamenti i Turqisë ratifikoi propozim-ligjin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 24 qershor të këtij viti, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjithsej 386 ligjvënës nga Partia qeverisëse për Drejtësi dhe Zhvillim (AK), dhe partitë opozitare Partia Popullore Republikane (CHP) dhe Partia Lëvizja Nacionaliste (MHP) votuan në favor të propozim-ligjit.

Duke folur para deputetëve në asamblenë e përgjithshme, kryeministri Binali Yıldırım tha: “Ndihem i nderuar që jam kryeministri i fundit i Republikës së Turqisë”.

Ai tha se dita e sotme është moment historik për Turqinë.

Ai theksoi se Turqia do të jetë në gjendje të marrë vendime të shpejta me sistemin presidencial të qeverisjes, por edhe shpejt t’i zbatojë këto vendime.

“Zbatimi i plotë i këtij sistemi sigurisht do të jetë i mundur pas zgjedhjeve që do të mbahen në Turqi më 24 qershor. Këto zgjedhje janë me rëndësi të madhe në kontekstin e qëllimeve për 100 vjetorin e themelimit të Republikës së Turqisë”, deklaroi Yıldırım.

Ndryshe, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, të mërkurën njoftoi mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare më 24 qershor pas një takimi me kreun e MHP-së, Devlet Bahçeli, i cili të martën bëri thirrje që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Më 16 prill të vitit 2017, Turqia mbajti një referendum që kërkoi nga votuesit të vendosin për ndryshime kushtetuese në 18 nene për të kaluar nga sistemi parlamentar në sistem presidencial.

Sipas ndryshimeve të reja kushtetuese, zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare mbahen në të njëjtën datë në çdo pesë vite.

Fillimisht, zgjedhjet e ardhshme të rregullta ishin planifikuar të mbaheshin në nëntor të vitit 2019.