Parlamenti i Studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se protesta e thirrur për sot në emër të Parlamentit të Studentëve të UP-së, nuk është thirrur nga ta, por nga një grup individësh që sipas tyre janë të lidhur më grupe kriminale brenda UP-së dhe grupe politike që nuk ia duan të mirën Universitetit të Prishtinës.
“Ky grup është i udhëhequr nga Arian Janova i cili disa ditë më parë ka kërcënuar deputetët e Parlamentit të Studentëve. Në media janë publikuar edhe audio-incizime të cilat janë mjaftë shqetësuese për ne duke pasur parasysh edhe mos reagimin e organeve drejtuese të UP-së.
Të cilat nuk janë distancuar nga kërcënuesi pasi që i njëjti është thirrur në emrat e disa prej anëtarëve të Këshillit Drejtues të UP-së”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim thuhet se nëntë anëtarë të Parlamentit të Studentëve kanë kërkuar shkarkimin e Arben Elshanit i cili pozitën e kryetarit të Parlamentit të Studentëve po e mban në mënyrë jo ligjore pasi që nuk e ka mbështetjen e nëntë anëtarëve të PS aq sa duhet t`i ketë.
E gjithë kjo po ndodh pasi që Këshilli Drejtues i UP-së po lejon shkeljen e Ligjit për Arsimin e Lartë, Statutit të UP-së, dhe Rregulloreve të punës së PS, të cilat janë të miratuara nga KD i UP-së. /Telegrafi/