Telegrafi

Parlamenti shqiptar aprovoi Buxhetin për vitin 2009

Deputetët e shumicës kanë pohuar se po i japin qytetarëve buxhetin më të madh të të gjitha kohërave i cili parashikon një rritje të ndjeshme rrogash dhe pensionesh si dhe një bum investimesh në infrastrukturën e vendit dhe se me këtë buxhet i përmbushin të gjitha premtimet që i dhanë elektoratit katër vjet më parë.

Ndërkaq opozita e deklaroi votën e saj kundër këtij buxheti që para se të fillonte seanca, duke e quajtur këtë buxhet si buxhetin e varfërisë i cili, nuk parashikon asnjë masë ndaj krizës ekonomike ,që sipas opozitës, do ta prekë Shqipërinë gjatë vitit që vjen.

Edhe pse buxheti parimisht është aprovuar, nen për nen do të votohet në seancën e caktuar për 26 nëntor.

Kryeminsitri Sali Berisha ditë më parë kishte deklaruar se investimet do të drejtohen në insfrastrukturë, duke theksuar se ato nuk do të shfrytëzohen për qëllime politike dhe zgjedhore.

"I garantoj Shqipërisë stabilitet makroekonomik, rritje më të madhe në rajon, investime të mëdha publike, përfundimin e autostradës Durrës- Morinë, autostrada Leman- Vlorë dhe vazhdimin e ndërtimit të rrugës "Rruga e Arbërit". Ky buxhet jep mundësi të mëdha për ndryshime dhe pjesë pjesë i realizon premtimet tona për paga dhe pensione më të larta", ka thënë ai.