Anëtarët e Parlamentit në Bosnje dhe Hercegovinë kanë miratuar garancinë për kredi nga Kina për ndërtimin e termocentralit të ri në Tuzëll, përkundër kritikave nga Sekretariati i Traktatit të Energjisë nga Bashkimi Evropian se i njëjti përfaqëson “ndihmë shtetërore”.
Parlamenti miratoi garancinë të enjten e kaluar pasi që u sigurua se projekti nuk dëmton buxhetin e vendit dhe nuk paraqet “ndihmë shtetërore”.
Përmes termocentralit të ri, Bosnja dhe Hercegovina mëton të zëvendësojë tri njësi të vjetra të këtij termocentrali. Projekti përfaqëson investimin më të madh në sektorin e energjisë në Bosnje dhe Hercegovinë, që nga përfundimi i luftës.
Marrë parasysh kërkesën në rritje për energji elektrike, njësia e re në Tuzëll do të sigurojë burime të mjaftueshme për furnizim të rregullt me energji elektrike në të ardhmen.
Në vitin 2017, Bosnja dhe Hercegovina kishte përzgjedhur China Gezhouba Group dhe Guandong Electric Power Design, që të dyja këto nga Kina, për të ndërtuar njësinë prej 450 megavatësh në Tuzëll. Vetëm në Bosnje e Hercegovinë, kinezët kanë përkrahur projekte energjetike që kapin vlerë prej 3.8 miliardë eurosh, raporton Reuters.
Termocentrali në Tuzëll është pjesë e projekteve nga linjiti me kapacitet të përgjithshëm prej 2,350 megavatësh, të paralajmëruara nga Bosnja dhe Hercegovina përmes strategjisë energjetike të vendit.
Përveç Bosnjës dhe Hercegovinës, një numër shtetesh të Ballkanit Perëndimor tani më kanë paralajmëruar ndërtimin e termocentraleve të bazuara në linit, të financuara kryesisht nga Kina.
Edhe Serbia përmes strategjisë së saj energjetike synon ndërtimin e kapaciteteve të reja të bazuara në linjit me kapacitet të përgjithshëm prej 2,500 megavatësh, raporton Bankwatch. /Telegrafi/