Site icon Telegrafi

Parlamenti malazez miraton ndryshimin e Ligjit për Liritë Fetare

Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Liritë Fetare. Pro ndryshimeve votuan 41 deputetë të shumicës qeverisëse. Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në punën e parlamentit, pasi ishin të pakënaqur me ndryshimet e propozuara në ligj.

Këto ndryshime u hartuan nga Qeveria e re malazeze, me kërkesë të Kishës Ortodokse Serbe.

Të hënën mbështetësit e opozitës kanë zhvilluar protesta në kundërshtim të ndryshimeve në këtë ligj.

Ligji për Liritë Fetare është miratuar nga qeveria e kaluar, e udhëhequr nga Markoviq, në fund të vitit 2019.

Me këtë ligj, objektet dhe tokat fetare që kanë qenë të shtetit deri në vitin 1918, do t’i kalojnë shtetit nëse nuk ka prova se ato janë fetare.

Që nga miratimi i këtij ligji, Kisha Ortodokse Serbe dhe opozita e atëhershme kanë organizuar protesta, të cilat kanë rezultuar edhe me ndryshim të Qeverisë malazeze.

Kisha thoshte se me këtë ligj, shteti dëshiron t’ia marrë pronën.

Çfarë ndryshimesh janë bërë në ligji?

Ndryshimet e miratuara fshinë nenet nga versioni i mëparshëm i Ligjit për Liritë Fetare në të cilat përcaktohej se “të gjitha ndërtesat fetare që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore dhe ishin pronë e shtetit të Malit të Zi para humbjes së pavarësisë së tij më 1918 dhe që më vonë nuk janë bërë pronë e një komuniteti fetar në mënyrë të përshtatshme ligjore, do të njihen si pronë e shtetit”.

Ky nen ishte i papranueshëm për Kishën Ortodokse Serbe, e cila menjëherë pas miratimit të versionit të parë të ligjit, në dhjetor 2019, nisi protesta të gjera, me mbështetjen e shumicës së opozitës së atëhershme, duke besuar se Partia Demokratike e Socialistëve që atëbotë ishte në pushtet, po përpiqej të “vidhte pronën e kishës” me ligj.

Ndryshimet e reja në ligj gjithashtu shfuqizuan dispozitën ku parashihej që një komunitet fetar duhet të regjistrohet, e cila ishte gjithashtu një nga pikat që Kisha Ortodokse Serbe e kundërshtoi me forcë.

Dy ndryshime të Lëvizjes Qytetare URA u bënë pjesë integrale e ligjit të miratuar, që bashkësitë fetare qendrat e të cilave janë jashtë vendit dhe të cilat nuk janë regjistruar në regjistra, janë të detyruar të veprojnë brenda rendit ligjor të Malit të Zi. /rel/

Exit mobile version