Telegrafi

Parlamenti i Shqipërisë miraton Buxhetin 2009

Në seancën e sotme parlamentare, drafti i buxhetit mori 76 vota pro, 34 kundër dhe 4 abstenime, pavarësisht se opozita e ka kundërshtuar me pretendimin se në të nuk është parashikuar asnjë rritje reale pagash krahasuar me rritjen e çmimeve.

Po kështu opozita e ka cilësuar atë si “buxhet të varfërisë”, pasi sipas tyre nuk ka parashikuar asnjë masë mbrojtëse për krizën financiare që ka përfshirë shumë shtete evropiane.

Ndryshe projektbuxheti i shtetit shqiptar për vitin 2009 u diskutua për afro një muaj në Kuvend në të gjitha komisionet e përhershme, ndërkohë opozita e ka kundërshtuar atë me argumentin se nuk realizon rritje ekonomike.

Buxheti i vitit 2009 kap shifrën e 5.2 miliardë dollarëve. Sipas qeverise, rritja e buxhetit mbështet fuqishëm investimet në të katër anët e vendit, në ujësjellës – kanalizime, impiante të përpunimit të ujërave, në rrugë dytësore, në investimet në akset kombëtare, etj.

Nëpërmjet zbatimit të këtij projektbuxheti, qeveria ka planifikuar të kryejë vitin e ardhshëm 383 miliardë lekë shpenzime, ndërsa të ardhurat që parashikohen të mblidhen nga taksat mund të arrijnë në 333 miliardë lekë. Qeveria ka planifikuar gjithashtu një fond rezervë prej 15.7 miliardë lekësh për të përballuar goditjet e mundshme nga kriza ekonomike botërore. /Telegrafi/