Site icon Telegrafi

Parlamenti i Kosovës dhe Mexhlisi i Hajkobillës!

– Ngjarjet që shënuan vitin –

Zgjedhjet lokale dhe ndërhyrjet globale: Zgjedhjet lokale përfunduan ashtu siç përfunduan. Meqë ishin këto zgjedhjet e para të organizuara nga autoritetet lokale e të injoruara nga OSBE , nga të gjithë u cilësuan si historike (banalizim tipik i historisë). Madje u shkua aq larg në lavdërime sa që u morën edhe si mësim edhe për shtetet me një demokraci shumë të zhvilluar! Zgjedhjet më të suksesshme në rajon, as më pak e as më shumë, ashtu u kualifikuan!

Pas të gjitha këtyre lavdërimeve, vetëm prisja kur do të shpërthejnë akuzat për hajni, keqpërdorime të votës së qytetarit etj. Nga përvoja e di se kur të lëvdojnë më shumë se që duhet “ miqtë ndërkombëtarë” atëherë, në fakt, të kahet nëna! Ani kur Miku Më i Madh Ndërkombëtar filloi ta implementoi në vepër sloganin e famshëm të shokut Tito; “ nga fjalët, në vepra”, pra vizitën dhe inspektimin e institucioneve që do të duhej të ishin përgjegjëse për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, nuk kisha asnjë dilemë se janë caktuar kokat që do të dërgohen të sulltani në Stamboll. Ato ishin kokat e Ramadan Mujës në Prizren, Shukri Bujës në Lipjan dhe me gjasë edhe ajo e Qemajl Mustafës në Gjilan.

U kërkuan edhe kokat e Palit në Gjakovë dhe kryetarit të zgjedhur të Mitrovicës, Avni Kastratit. Kokën e Palit e kërkonte varianti femëror i Edvin Ramës në Kosovë, nën-presidentja e Behgjet Pacollit, Mimoza Kusari-Lila kurse në Mitrovicë, kandidati permanent për kryetar të Mitrovicës, Nexhmedin Spahiu. Është interesant se këta që kishin humbur nuk ofronin argumente por vetëm denonconin te “miqtë ndërkombëtarë”, ose, përkthyer në gjuhën e bukur shqipe, donin të vinin në pushtet si Ahmet Zogu i cili gjithashtu u kthye në pushtet me ndihmën e ushtarëve të Pashiqit dhe bjellogardistëve të Vrangelit!

Këtu u dëmtua vetëm në subjekt politik, PDK, dhe jo pa hile! Pas këtyre vendimeve po del se vetëm PDK ka vjedhur vota gjë që nuk është aspak e vërtetë sepse në Kosovë vlen parimi universal; vjedhin të gjithë ata që kanë mundësi dhe nuk vjedhin vetëm ata që nuk kanë mundësi! E dyta, është vlerësimi i të huajve se PDK, me këto fitore po forcohet shumë ndërsa nga LDK-së po i mbetet vetëm Isa Mustafa për forcimin e të cilit nuk janë fare të interesuar sepse aktualisht janë fansa të Fatmirit, presidentit!

Mendoj se përpjekja për dëmtim vetëm të një subjekti politik është e kundërta e demokracisë! Pastaj, LDK-ë nuk do të forcohet asnjëherë në këtë mënyrë. Ajo duhet të reformohet, rinovohet dhe rigjenerohet nga brenda duke u distancuar nga spekulantët, të padijshmit dhe profiterët! Definitivisht duhen ta kenë të qartë se Ibrahim Rugova ka vdekur dhe se votat nuk mund të fitohen duke keqpërdorur dhe duke i shëtitur si pjesë të cirkut, anëtarët e familjes së ish kryetarit të ndjerë të LDK-së dhe kryetarit të gjallë por të “ ngrirë” të LDK-së! Ata vetëm do t’u humbasin vota!

Po pse fitoi atëherë PDK? Mendoj se janë tri arsye. E para, sepse të gjitha subjektet garuese, në vend të ofertës që do t’i joshte votuesit e kishin ofertën e vetme, kryqëzatën kundër PDK-së dhe Hashim Thaçit! Slogani i tyre i përbashkët dhe unifikues ishte: le të fitojë edhe djalli i mallkuar por jo edhe PDK dhe Hashim Thaçi! E dyta, merita shumë e madhe për këtë fitore i adresohet anëtarit të pjesës paqësore të koalicionit “Guns and Roses”, pra, trëndafilit- Lutfi Hazirit! Me akrobacionet e tij mediale ishte armë shumë e fuqishme e PDK-së ndonëse në cilësinë e nënkryetarit të LDK-së! Dhe, e treta ishte angazhimi i jashtëzakonshëm i pjesës violente të koalicionit “Guns and Roses”gjithnjë sipas Lutës, Hashim Thaçit i cili e dha shembullin konkret se si duhet të luftohet për vota për subjektin në krye të të cilit gjendet aktualisht.

Për aq kohë sa zgjati fushata zgjedhore, Hashim Thaçi i ka përdorur pejëzat e zërit më tepër se Luçano Pavaroti gjatë tërë një viti! Pastaj, nuk e ka lënë pa e shkelur asnjë pëllëmbë të territorit të Kosovës në mbështetje të kandidatëve të PDK-së! Krejt në fund, i ka përkrahur botërisht edhe disa kandidatë për kryetar të komunave ndonëse ata i nxjerrin telashe dhe të cilët, në rrethana normale do ta kishin vendin në qytezën piktoreske të Dubravës ku padyshim do të përfundojnë nëse një ditë të bukur me diell kthjellet gjyqësori!

Një miku im i mirë më pyeti nëse “miqtë ndërkombëtarë” kanë të drejtë të ndërhyjnë në mënyrë aq të lakuriquar në rezultatet e zgjedhjeve?! U përgjigja duke ia treguar një ngjarje pas përfundimit të luftës së dytë botërore. Kur ushtarët e Ushtrisë së Kuqe të Bashkimit Sovjetik i çlironin vendet si Bullgaria, ish Jugosllavia dhe vendet tjera aleate puna e parë që e bënin ishte pallosja e femrave të tyre. Kur ato, në mbrojtje të nderit kundërshtonin, ushtarët rusë e kishin një argument të vetëm: ”ja te osllobodill, ja te jeball”. Shqip: “unë të kam çliruar, unë të palloj”.

Mirëpo këtu vije në shprehje gjenialiteti i politikanëve tanë, ata nuk e bëjnë gabimin e femrave bullgare dhe jugosllave! Nuk pyesin asgjë, vetëm….palohen!

Rrahman Morina dhe Mehmet Kraja: Pse tash këta dy emra, me të drejtë mund të pyeteni? Çka i dallon dhe a kanë diçka të përbashkët? Që të dy kanë qenë shqiptarë dhe banorë të Kosovës, atëherë krahinë autonome. Që të dy janë dallëndyshe të “pluralizmit” politik në Kosovë ndonëse dekada me radhë kanë qenë besnik të sistemit monist komunist jugosllav. I pari ka dhënë leje të formohet LDK-ë ndërsa i dyti llogaritet të ketë qenë njëri ndër “ themeluesit” e LDK-së!

I pari është “angazhuar” për çështjen kombëtare në aspektin institucional, i dyti në aspektin intelektual! I pari është angazhuar konkretisht që Adem Demaçi dhe të burgosurit politik shqiptarë të qëndrojnë sa më gjatë në burgjet jugosllave ndërsa i dyti me mosangazhimin e tij për lirimin e tyre i ka ndihmuar të parit, Rrahman Morinës pra! Rrahman Morina iku nga kjo botë, shkoi te një Dreq i Madh, Mehmet Kraja ende vegjeton në këtë botë dhe si infuzion për jetëgjatësi përdorë urrejtjen ndaj Adem Demaçit dhe ish të burgosurve politik shqiptarë që e dëshmoi sinqerisht në një debat në Klan Kosova me rastin e 20 vjetorit të themelimit të LDK-së.

Ambienti dhe përmbajtja e debatit më shumë i përngjanin një akademie përkujtimore për nder të Rrahman Morinës. Ish të burgosurit politikë dhe ata që më së shumti u sakrifikuan për lirinë e Kosovës nuk pati kush t’i marr në mbrojtje në këtë debat!

EULEX-i dhe 1 Prilli: Rastisa t’i dëgjojë dy të rinj duke polemizuar midis tyre në përpjekje për t’i imponuar apo argumentuar një të vërtetë njëri – tjetrit. Në një çast njëri po i drejtohet tjetrit me fjalët:” po gënjen si EULEX-i”! Pastaj vazhdoi me një ton të ngritur për të qenë sa më bindës:” EULEX-i ka thënë se do ta bashkojë Mitrovicën, do t’i shpërbëjë strukturat paralele, do t’i arrestojë politikanët që po vjedhin, do ta luftojë krimin e organizuar etj. etj. asgjë nuk ka bërë, a po bindesh tani se po gënjen?!” U largova nga vendi ku polemizohej, shkallët para gjimnazit “ Sami Frashëri” me ndjenjën jo të mirë. Asaj të politizimit të rinisë shkollore.

Në Çeki kur dikush damkosej si gënjeshtar i thuhej: ”po rrenë si gazetar”. Në Kosovë fillimisht thuhej po rrenë si politikan ndërkaq tash si EULEX-i! Çfarë ndryshimesh dramatike! Duket se EULEX-i po bëhet sponsor gjeneral i 1 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Rrenës dhe Mashtrimit!

Viti i Dhimbjes së Madhe: Pas një sëmundjeje të rëndë dhe të gjatë dhe në moshë shumë të shtyrë vdiq Patriku i Kishës Ortodokse Serbe, Ati Pavle. Dhimbja dhe hidhërimi për vdekjen e tij ishte i madh por disi u përballua! Këtë dhimbje më së vështiri e përjetojë KFOR-i i cili shpalli ditë zie në radio programet e tij! Merreni me mend, KFOR-i!

Diçka rreth titullit: Sinqerisht u kërkoj falje banorëve të Hajkobillës të cilët vetëm rastësisht janë pjesë e këtij shkrimi. Pozita gjeostrategjike dhe një tregim para afërsisht 100 vjetëve më shtyri ta përmendi këtë fshat, ndryshe pjesë e një rajoni jashtëzakonisht të bukur.

Po e filloj. Para afërsisht 100 vjetëve në këtë rajon operonte një kadi i rrezikshëm i quajtur Jakup Karapidiku, i ardhur nga Anadolli. E kishte një grup të organizuar mirë që vidhnin çdo gjë që mund të vidhej, këndej dhe andej kufirit! Bëri pasuri të madhe. Gjatë ditës ndante drejtësi dhe me ata bashkë-hajdutët e tij operonte vetëm natën. Madje, për ta dëshmuar vullnetin, dëshirën dhe gatishmërinë për t’i ndihmuar popullit e pati formuar një lloj kuvendi që e quajti “ Mexhlisi i Hajkobillës”.

Ky kuvend mblidhej vetëm kur duhej të hartonte strategji dhe politika për të vjedhur ndërkaq që tellalli i tyre, Bilall Efendija fliste për ulje taksash, stimulim të bujqësisë dhe përparim të gjithmbarshëm për miletin e asaj nahije. Flitet se “vitet e mjaltit” të Jakup Karapidikut përfunduan me fillimin e luftës së parë botërore kur disa cuba, pasi e zunë, e plaçkitën dhe e rropën për së gjalli. Fund aspak i lavdishëm dhe atraktiv, do të thoja! Por i merituar, gjithsesi.

Kuvendi i Kosovës është krejt e kundërta e “Mexhlisit të Hajkobillës”. Vetëm titullin e kanë të njëjtë. Është rastësi krejtësisht që në krye të Kuvendit të Kosovës është po ashtu një Jakup, jo Karapidiku por Krasniqi! Deputetët e këtij Kuvendi çdo gjë që e bëjnë, e bëjnë për popullin! Punojnë, jetojnë dhe vdesin për popullin! Hajdutët e “Mexhlisit të Hajkobillës “ ishin keqbërës dhe grykës të mëdhenj, asgjë nuk bënin për popullin por për veten e tyre!

Madje, deputetët e Kuvendit të Kosovës, në përpjekje për t’u sakrifikuar për popullin, përveç pagave të tyre e kanë shitur edhe pasurinë dhe janë shndërruar në skamnorë! Zoti ua shpërbleftë këtë sakrificë, ne populli nuk mundemi në asnjë mënyrë!

Bamirësia e vitit 2009: Në vitin 2009 ka pasur shumë aktivitete bamirësie si; ndërtimi i shtëpive për të varfrit, shërimi i të sëmurëve të varfër jashtë vendit, rritja e rrogave për ministra, blerja e veturave për presidencën dhe aktivitete të tjera humanitare.

Mirëpo, sipas vlerësimit tim akti më sublim i bamirësisë dhe humanizmit në vitin 2009 i takon atyre që, me të dëgjuar për pozitën e rëndë materiale, skamjen e deputetëve, anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit dhe kryetarit të saj, e hapën një gjellëtore ku servohet ushqimi falas për skamnorët dhe ata që janë lodhur shumë! Deputetët tanë publikisht janë deklaruar se janë skamnorë ndërkaq se janë të lodhur shumë nuk diskutohet fare, mjafton të përcillet një seancë e Kuvendit të Kosovës!

Romuli dhe Remi, varianti kosovar: Kohëve të fundit po shkruaj shumë rrallë dhe sinqerisht kam arsye të fortë për këtë! Po e përjetoj një depresion dhe impotencë krijuese, jo për fajin tim por se në tregun medial janë paraqitur dy analistë të jashtëzakonshëm që më kanë hedhur krejtësisht në margjina! Pastaj, po i trajtojnë dy tema që gjithnjë i kam pasur për zemër: patriotizmin dhe luftën kundër korrupsionit!

Behgjet Pacolli, ndonëse jam më i fortë se ai përkrah emri (emri im është me xh të fortë) po më mban mësime rreth patriotizmës dhe shqiptarisë! Dhe unë dorëzohem para tij! Rrustem Mustafa i njohur si komandant Remi po bën analiza antologjike për korrupsionin, fushë kjo për të cilën ka dhënë kontribut gjithashtu antologjik! Edhe para tij po dorëzohem. Unë po, Hasano de Preteno le ta luaj rolin e Don Kishotit!

Gëzuar Vitin e Ri 2010 për të gjithë ata që më lexojnë, më shajnë dhe kritikojnë!

(Autori i shkrimit është drejtor ekzekutiv i KMDLNJ-së. Qëndrimet dhe urimet në këtë shkrim janë personale)

Exit mobile version