Kryetari i parlamentit grek ka thënë se një pjesë e borxheve kombëtare janë të jashtëligjshme dhe duhet të anulohen.
Zyrtarët grekë kanë thënë se Athina është detyruar që të shfrytëzojë para nga një llogari e emergjencave me qëllim që të paguaj me kohë këstin e radhës ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar në vlerë prej 750 milionë eurove. Sot është afati i fundit për të kryer këtë pagesë.
Një burim brenda Bankës Qendrore në Athinë ka thënë sot se “kjo ka qenë iniciativë e guvernatorit të Bankës së Greqisë që të respektohet afati”.
Një zyrtar qeveritar ndërkaq ka thënë se me qëllim që të bëhet pagesa, Athina ka shfrytëzuar 650 milionë euro nga llogaria e veçantë e Bankës Qendrore, llogari kjo që duhet të përdoret vetëm në raste të “nevojave të jashtëzakonshme”.
Një tjetër zyrtar grek ka thënë se rezervat që u përdorën nga qeveria duhet të rimbursohen brenda “disa javësh”. /Telegrafi/