Site icon Telegrafi

Parlamenti Evropian ndalon vajin e palmës

Votimi i shumicës së deputetëve të Parlamentit Evropian (PE) për ndalimin e përdorimit të vajit të palmës është mirëpritur edhe në vendin tonë. Mbrojtës të së drejtave të konsumatorëve kërkojnë që një hap i tillë të merret edhe nga Institucionet e Kosovës. Sipas tyre, marrja e një hapi të tillë përveç që mbron industrinë e qumështit do të ndikon edhe në largimin e rrezikut të konsumit të vajit të palmës nga konsumatorët.

Pas shumë diskutimeve dhe debateve ne vendet e BE-së lidhur me përdorimin e vajit të palmës, Parlamenti Evropian muajin e kaluar me shumicë të votave ka votuar për ndalimin e vajit të palmës deri në vitin 2020.

Sipas deputetëve të PE-së një pjesë e madhe e prodhimit global të vajit të palmës është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut .

Pas votimit të Parlamentit Evropian, tani për çështjen e vajit të palmës i mbetet për të vepruar Komisionit Europian.

Po ashtu, sipas këtij vendimi të parlamentit, BE-ja duhet të prezantojë një skemë të vetme për certifikimin e vajit të palmës që hyn në tregun e BE-së.

Këtu është njoftimi i Parlamentit Evropian për ndalimin e vajit të palmës deri në vitin 2020.
Selatin Kaçaniku nga organizata “Konsumatori” ka thënë se pasi Kosova synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, atëherë duhet ta ndaloj sikur BE-ja vajin e palmës.

“Forma e ndalimit sikur në BE është e duhur por rrezikohet që të rritet kontrabanda me vaj palme, pasi që kur një produkt ndalohet atëherë ai i rritë mundësitë e kontabandimit”, tha Kaçaniku.

Ndërkaq në Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës (AUV), kanë thënë se ende nuk janë informuar për ndalimin e përdorimit të vajti të palmës deri më 2020 nga Parlamenti Evropian.

Kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës Valdet Gjinovci, ka thënë se çdo herë kur merren vendime nga Parlamenti Evropian, ata si agjenci njoftohen nga zyra ndërlidhëse e Bashkimit Evropian në Kosovë. Por sipas tij, deri më tani nuk kanë njoftim për ndalimin e vajit të palmës

“Ne njoftohemi nëpërmjet zyrës ndërlidhëse të Bashkimit Evropian në Kosovë, ende nuk kemi njoftim zyrtar rreth ndalimit të vajit të palmës, por kur ne njoftohemi, atëherë merren veprimet përkatëse”, ka thënë Gjinovci.

Ndryshe, shpesh herë ishte raportuar në media se përdorimi i vajit të palmës është kancerogjen si dhe përdorimi i tij në produkte të qumështit është duke i rrezikuar fermat e gjedhëve që bëjnë prodhimin e qumështit.

Exit mobile version