I krijuar si parlament studentor në kuadër të Universitetit të Prishtinës, në raste të caktuar mëton të jetë parlament popullor duke u deklaruar për çështje të cilat realisht nuk i takojnë. Statuti i Universitetit të Prishtinës, saktësisht neni 164, përcakton qartë se interesat e studentëve të UP-së përfaqësohen nga Parlamenti i studentor dhe Këshilli i studentëve në njësi akademike.
Edhe pse i krijuar për të përfaqësuar studentët dhe për tu marrë me brengat e tyre ky organ në raste të caktuara devijon duke i tejkaluar kompetencat dhe përgjegjësit e tij. Çfarë realisht është brengë për një student sot, mos vallë është mosfunksionimi i misionit të EULEX-it apo procesi i regjistrimit të popullsisë (padyshim se janë). Por para së gjithash brengë për një student të UP–së sot janë kushtet që i ofron ky institucion për një studim të mirëfilltë. Edhe pse në krahasim me vitet e kaluara ka të arritura që vlen të cekën, megjithatë ka dhe ngecje tjera me të cilat parlamenti i studentëve do të duhej të përkushtohej më tepër.
Nëse kthehemi në kohë, realisht studentët kanë qenë protagonistë në shtyrjen e kauzës për pavarësinë e vendit, por kjo ka ndodhur në një kohë pa kohë, kohë në cilën nuk ka pasur mundësi tjera për tu dëgjuar vullneti i popullit ose kanë qenë të pakta ato mundësi. Një gjë e tillë nuk mund të ndodh sot. Parlamenti studentor është mirë që ekskluzivisht të merret me problemet e studentëve, e jo me çështje të cilat nuk i takojnë.
Nëse ndokush në parlamentin e studentëve vuan nga mungesa e të qenit në qendër të vëmendjes, atëherë le të gjejë forma të tjera për të qenë në qendër të vëmendjes, por jo edhe ta përdor Parlamentin studentor për këtë çështje. Kjo për faktin se Parlamenti studentor si organ i paraparë në statutin e UP-së, është i thirrur të përfaqësoj interesat e studentëve, por jo edhe interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pasi që një gjë të tillë e bënë parlamenti i Republikës së Kosovës. Krahas kësaj nëse ndokush aty mund të ketë ambicie politike mund të anëtarësohet në ndonjë parti politike (kemi me shumicë) dhe t’i realizoj ambiciet e tij politike, por jo të shfrytëzoi parlamentin e studentëve për realizimin e këtyre ambicieve.
Mungesa e profesorëve në ligjërata, vlerësimi i studentëve, nepotizmi brenda universiteti, digjitalizimi i shërbimeve administrative (funksionimi i ueb faqes), vonimi i rezultateve, zgjerimi i hapësirave për studim etj, këto do të duhej të ishin parësore për Parlamentin e studentëve pasi që këto edhe janë problemet me të cilat ballafaqohet një student në UP, e jo çështjet tjera të cilat mund të jenë dytësore për studentin.
Çështjet si shkelja e Kushtetutës nga EULEXI, procesi i regjistrimit të popullsisë mund të jenë objekt studimi për studentë gjatë studimeve, por jo edhe çështje me të cilat i takon të merret një parlament studentor që funksionon në kuadër të Universitetit Publik të Prishtinës.
(Autori është jurist i diplomuar)