Site icon Telegrafi

Parku Kombëtar i Divjakës, atraksioni turistik i fundjavës (Foto)

Parku Kombëtar i Divjakës është transformuar në një destinacion turistik gjithnjë e më të vizituar nga shqiptarë e të huaj.

Gjatë fundjavës ky park ka mirëpritur vizitorë të shumtë të cilët kanë shijuar një fundjavë ndryshe mes qetësisë natyrore dhe bukurive të peizazhit. Gjithashtu vizitorët në parkun e Divjakës shijuan dhe kundrimin e shpendëve dimëror një atraksion mjaft i pëlqyer nga turistët vendas dhe të huaj.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.

Parku është shpallur si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995, transmeton atsh.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta gjendet 90 km nga kryeqyteti i Tiranës, 60 km nga Durrësi qyteti-port më i madh, dhe 80 km nga aeroporti ndërkombëtar i vetëm në Shqipëri. Ai kufizohet nga lumi Shkumbin në veri, nga kodrat e Divjakës në Lindje, nga kanali i Myzeqesë dhe lumi Seman në jug, dhe laget nga deti Adriatik në perëndim.
Zona e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta është zona më e rëndësishme komplekse e Shqipërisë për sa i përket biodiversitetit. /Telegrafi/

Exit mobile version