Telegrafi

Parisi i denjë për Barcën

Ndeshja filloi me intensitet të lartë, ku vendasit kishin një dominim të lartë në pjesën e parë.

Lavezzi qëlloi shtyllën pingule në minutat e para, ndërsa edhe në vazhdim PSG rezikoi me Ibrahimovicin dhe Lavezzin. Lucas shkëlqeu, duke treguar bashkë me David Beckham paraqitje të shkëlqyer.

Sidoqoftë, i gjithë ky dominim i vendasve ra poshtë në minutën e 38-të, kur Lionel Messi i lënduar arriti të shfrytëzojë një top maestral nga Dani Alves për të shënuar për 1-0.

Me këtë gol Messi theu një tjetër rekord, pasi u bë lojtari i parë që arriti të shënojë në 20 shtete të ndryshme.

Në pjesën e dytë u largua Messi dhe loja ndryshoi me vendasit që bënë presion për golin e barazimit.

Pas një goditje nga këndi ishte Thiago Silva ai që ishte më i larti në kërcim për të qëlluar shtyllën, ndërsa nga pozicioni jashtë loje ishte Ibrahimovic ai që shënoi për 1-1 (80’). Gjyqtarët e pranuan golin, përkundër faktit se suedezi nuk ishte në pozicion të rregullt.

Pas një aksioni të bukur nga Iniesta, në zonë nga portieri Sirigu u rrëzua Alexis Sanchez, që nxorri një penalti. Nga pika e bardhë i sakt u tregua Xavi (89’) për 2-1.

Kur të gjithë menduan se Barcleona e siguroi kualifikimin në gjysmëfinale, ishte Matuidi ai që me një goditje mposhti portierin Victor Valdes në top formë në këtë takim për të realizuar për 2-2 dhe rezultatin përfundimtar (90’ +3).

Ky rezultat i përshtatet Barcelonës para ndeshjes kthyese që zhvillohet në Camp Nou, pasi katalanasit kualifikohen edhe me barazim pa gola. /Telegrafi/