Site icon Telegrafi

“Parisi më duket i trishtë pa ty!”

Pjesë nga libri: “Dashuri trasantantike”
Përktheu: Alda Bardhyli

Janë rreth 600 letra dashurie që shkrimtarja franceze Simone De Beauvoir ia dërgoi të dashurit të saj amerikan, shkrimtarit Nelson Algren.

Historia e dashurisë mes De Beauvoirit dhe Algrenit do të bëhet publike kur u publikuan disa foto nudo të shkrimtares, realizuar në vitin 1952 nga Art Shay, mik i Nelsonit. Shay 30 vjeç në atë kohë.

“Miku im Nelson Algren ishte i mërzitur, pasi apartamenti që kishte marrë me qera për 10 dollarë në muaj nuk kishte banjo apo dush. Ai më kërkoi mua nëse kisha ndonjë vend ku mund të lahej madama. Më paralajmëroi me humor se ajo është ‘franceze’ dhe nuk e mbyll derën e banjës… Unë ia huazova banesën e një mikeshës sime… ku shkova bashkë me Nelsonin dhe Simonen. Si një fotograf i ri i revistës ‘Life’ nuk mund të rrija indiferent ndaj një fotoje të tillë për De Beauvoirin. Ndaj, kur pash De Beauvoirin kur doli nga banja me flokët e lagur para pasqyrës, bëra shpjet disa shkrepje. ‘Ju jeni një djalë I keq’, më tha ajo me humor, por pa mbyllur derën apo për të më kërkuar që t’i merrte ato foto”, ka thënë Shay.

Lexo po ashtu Sonte të dua kaq shumë…

Më poshtë janë disa pjesë të librit “Dashuri trasantlantike”:

E enjte, 8 Janar, 1948
Nelsoni im,

Ja ku ndodhem në Paris. Ishte një ditë mjaft poetike, siç ndodh ndonjëherë kur nuk e pret. Gjithçka dukej sikur ishte kundër meje: nga qielli binte diçka që nuk ishte as shi, as dëborë, një ujë i zi dhe i akullt; një grevë e shitësve mbylli të gjitha dyqanet, kafenetë dhe restorantet. Mund të kishte qenë tepër e trishtë, por fatmirësisht nuk qe e tillë. Së pari, gjeta letrën tënde të ëmbël dhe kjo më lumturoi. Fola me ty (në anglisht), gjithë ditën. Pastaj u kënaqa kur të pashë sërish qytet. Qytetet më pëlqejnë. Ashtu i errët dhe i trishtë siç ishte, Parisi ishte qytet i vërtetë. Piva pak uiski (jo skoç, por burbo) nëpër bare, ku bisedova me miqtë. Shkova te revista Kohë Moderne, ku gjeta letrat dhe disa gjëra që më bënë të lumtur: përkthimi në anglisht i librit ‘Gjaku i të tjerëve’, pra, do të mund ta lexosh në maj.

Kam shumë dëshirë që të bëj një lidhje midis jetës sime si bretkosë në Uabansia dhe jetës në punë. Do të doja që të lexoje librat e mi, sidomos këtë, që është novela e dytë që kam shkruar dhe që jam e bindur se do të të tregojë diçka për mua. Dua që ta njohim njëri-tjetrin gjithnjë e më mirë. Prandaj, u lumturova vërtet kur e gjeta, edhe pse përkthimi kishte gabime të tmerrshme. Do të botohet në maj, edhe në Londër, edhe në Nju-Jork, prandaj për të do të diskutojmë në Meksikë. Po, Meksikën nuk e ndaj nga mendja. Një shoqja ime që u kthye prej andej, më tha se Kuba ishte e mahnitshme. Po sikur pas Nju-Orleansit të shkojmë në Kubë e pastaj në Meksikë? Tani më kujtohet sikur the që Karaibet nuk të tërheqin, se druheshe që ishin vetëm për turistë? Mua do të më interesonte shumë dhe në Meksikë shkojmë një herë tjetër. Por, mos u ngut! Mendoje njëherë! Gjëja e rëndësishme është të udhëtojmë dy muaj rresht: se ku, nuk është aq e rëndësishme, apo jo?

Po i kthehem së martës, mbrëmjen kur isha vetëm dhe dola shëtitje në Bulevardin Elize për të parë Vilet e Zemërimit. U mërzita kur dëgjova sërish zëra amerikanë dhe kur pashë vetëm rrugën që pata bërë me shoqen time nga Kalifornia në Arizona dhe në Nju-Meksiko. Arrita t’i njihja vendet, sidomos urën në Kolorado. Disa plane në film m’u dukën mahnitëse: ato në fermën e keqe, kur policët vrasin ish-predikuesin. Kurrë nuk kisha parë një film kaq ‘të fortë’, në kuptimin e mirë të fjalës. E djeshmja kaloi me gjëra të vogla, shumë çikërrima dhe duke fjetur gjumë. Ndihem disi e lodhur – mbase në fshat punova shumë. Sot po lexoj libra për gratë. Më intereson, por Parisi po fillon të duket i trishtë, ashtu si është vërtet dhe po kështu po ndihem edhe unë. Derdha ca pika loti, sepse të doja dhe më mori malli shumë. Fola me ty për një kohë të gjatë natën.

Të dua.
Simone”.

/Gazeta Shqip/

Exit mobile version