Site icon Telegrafi

Reklamë apo kërcënim? Pakistan Airlines në qendër të kritikave për postimin e ngjashëm me sulmet e 11 shtatorit

Pakistan Airlines (PIA) ka tërhequr kritika të gjera për publikimin e një reklame që tregonte një aeroplan që fluturonte drejt Kullës Eiffel në Francë.

Bëhet e ditur se reklama kishte për qëllim të promovonte rifillimin e fluturimeve të linjës ajrore drejt kryeqytetit francez dhe kishte mbishkrimin “Paris po vijmë”.

Por, disa përdorues të rrjeteve sociale vunë në dukje ngjashmërinë e reklamës me sulmet terroriste në SHBA më 11 shtator 2001.

“A është kjo një reklamë apo një kërcënim?”, tha një përdorues në X.

Një tjetër bëri thirrje që kompania të “largonte nga puna menaxherin e marketingut”.

Raportohet se imazhi është parë më shumë se 21 milionë herë në X që kur u publikua javën e kaluar dhe ka shkaktuar reagime të shumta.

Kryeministri Shehbaz Sharif ka urdhëruar një hetim për këtë çështje, ndërsa zëvendëskryeministri Ishaq Dar e ka kritikuar gjithashtu reklamën, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Ndryshe, sulmet e 11 shtatorit panë terroristët e Al-Kaedas duke përplasur aeroplanë pasagjerësh në Kullat Binjake në New York dhe në objektet e Pentagonit në Uashington, duke vrarë afro 3,000 njerëz.

Organizatori i dyshuar i sulmeve, Khalid Sheikh Mohammad, u arrestua në Pakistan në vitin 2003.

Ndërsa Osama bin Laden, lideri i rrjetit ekstremist Al-Kaeda që planifikoi sulmet, u vra nga trupat amerikane në Pakistan në vitin 2011.

Gazetari pakistanez Omar Quraishi tha se reklama e PIA-s e la atë “me të vërtetë pa fjalë”.

“A nuk e ka verifikuar këtë menaxhmenti i linjës ajrore?”, tha Quraishi.

“A nuk e dinë ata për tragjedinë e 11 shtatorit? A nuk mendonin se kjo do të perceptohej në mënyrë të ngjashme”, shkroi ai në X.

Deri më tani, linja ajrore nuk ka komentuar mbi incidentin.

Megjithatë, PIA njihet për të tilla polemika.

Disa përdorues të X theksuan se në vitin 1979 linja ajrore publikoi një reklamë që tregonte hijen e një aeroplani pasagjerësh mbi kullat binjake.

Në vitin 2017, linja ajrore u tall pasi stafi sakrifikoi një dhi për të shmangur fatin e keq pas një prej katastrofave më të rënda ajrore të vendit.

Dhe në vitin 2019, PIA bëri bujë kur u dha stafit gjashtë muaj kohë për të hequr “peshën e tepërt”. /Telegrafi/

Exit mobile version