Site icon Telegrafi

I pari i futbollit rumun, Burleanu, deklaron se edhe Rumania mund të ankohet në CAS

Presidenti i Federatës Rumune të Futbollit, Razvan Burleanu, ka komentuar fitoren në tavolinë ndaj Kosovës, ndërsa e ka lënë të hapur ankesën për të shkuar në CAS në lidhje me dënimet.

Kreu i futbollit rumun saktësoi se brenda pesë ditësh do të duhet të vendosë nëse do të kundërshtojë gjobat dhe pezullimin e fushës në CAS.

Presidenti i Federatës Rumune të Futbollit shprehet i pakënaqur me gjobat e marra nga UEFA, prej 128 mijë eurosh, por edhe me pezullimin e fushës për një ndeshje.

“Është një vendim që duhet të ndahet në dysh. Nga njëra anë, vendimi që konfirmonte fitoren 3-0 të Rumanisë ishte logjik, racional dhe i parashikueshëm, sepse në çdo kontekst tjetër çdo ndeshje futbolli që do të ishte organizuar do të vihej në pikëpyetje. Në thelb, vendimi që konfirmon fitoren e Rumanisë mbron futbollin”, deklaroi fillimisht ai.

Burleanu deklaroi se gjobat janë shumë të ashpra, duke shtuar se tifozët rumunë ishin model se si janë sjellë këtë vit.

“Sa i përket gjobave, për momentin i konsiderojmë shumë të ashpra, sidomos mbylljen e stadiumit për tifozët tanë, të cilët, meqë ra fjala, gjatë gjithë kësaj fushate ishin model dhe i referohemi mënyrës se si u sollën në Gjermani, kujtojmë ndeshjen e luajtur në Qipro, por edhe këtë ndeshje deri në minutën e 91-të, 92”, ka shtuar Burleanu.

Lexo po ashtu Vjen reagimi i FFK-së: U konfirmua se kishte sjellje raciste dhe mesazheve provokuese politike, shkojmë në CAS

Tutje, ai shtoi se kanë kohë prej pesë ditësh për të parë nëse do të apelojnë apo jo.

“Ne presim të shohim motivet dhe kemi pesë ditët e ardhshme për të vendosur nëse do të apelojmë në CAS apo jo. Ka një procedurë urgjente pasi të premten është shorti”, përfundoi ai. /Telegrafi/

Exit mobile version