Telegrafi

Paratë për investime në Brezovicë sigurohen në Serbi

Procesi për koncesionimin e Qendrës së skijimit në Brezovicë vazhdon të përcillet me jotransparencë, me çka është karakterizuar që nga fillimi.

Tash kur konsorciumit francez, i cili ka nënshkruar kontratë me Qeverinë e Kosovës, i janë dhënë 6 muaj kohë për të gjetur 400 milionët, të cilat do të investohen në Brezovicë, kanë filluar të ngrihen dyshimet e para.

Gazeta “Zëri” nga burimet e saj merr vesh se këto miliona konsorciumi francez “MDP Consulting – Compagie des Alpes” po tenton t’i sigurojë nga magnati serb, Miodrag Kostiq. Ky i fundit është një prej biznesmenëve më të fuqishëm në Serbi, i cili kishte shprehur interesim për të marrë në shfrytëzim pronën shtetërore në Kosovë me kompaninë e tij “MK – Group”.

Por, Kosqit dhe “MK- Group” ishin tërhequr nga gara, duke mos dhënë asnjë sqarim.

Një burim i gazetës, në kushte anonimiteti, i afërt me konsorciumin franceze ka bërë të ditur se tërheqja nga interesimi ka ndodhur pikërisht për të realizuar këtë skenar. “Nëse ‘MK – Group’ do të fitonte kontratën nga Qeveria e Kosovës, kjo nuk do të ishte e pranueshme për opinionin në Kosovë dhe për t’i shmangur pengesat është përdorur ky skenar”, ka thënë ky burim në kushte anonimiteti. /Telegrafi/