Site icon Telegrafi

Parashikoi krizën ekonomike botërore në vitin 2008, tani thotë se jemi sërish para një kolapsi

Profesor Emeritus në Stern School of Business të Universitetit të New Yorkut, Nouriel Roubini është një ekonomist që parashikoi krizën financiare të vitit 2008 dhe fitoi pseudonimin “Dr. Doom”.

Ai paralajmëroi se negociatat për shmangien e mospagimit të detyrimeve të SHBA-së mund të zvarriten, gjë që, në mungesë të një marrëveshjeje për tavanin e borxhit, do të godiste tregjet financiare dhe do të minonte besimin në dollarin në terma afatgjatë, raporton fortune.

“Ndoshta një marrëveshje do të arrihet në minutën e fundit. Ose është e mundur që ata të mos arrijnë një marrëveshje. Nëse është kështu, atëherë tregjet do të rrëzohen”, tha Roubini për Bloomberg TV në periferi të Forumit Ekonomik të Katarit në Doha.

Rubini, i cili njihet më së shumti për parashikimet e krizës së mëparshme ekonomike, tha se tensionet gjeopolitike nga Ukraina në Iran, së bashku me përkeqësimin e marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Kinës, do të jenë një sfidë e madhe për ekonominë globale këtë vit.

Ai beson se investitorët, të ndikuar nga çmimet më të larta të naftës dhe gazit, ka të ngjarë të përdorin paratë e tyre për investime të fokusuara në teknologji, pasi letrat me vlerë të qeverisë janë mbivlerësuar. /Telegrafi/

Exit mobile version