Prej disa muajsh, George Soros, 85 vjeç, ishte kthyer në aktivitet të plotë për të administruar pjesë të mëdha të fondit të tij spekulativ prej 30 miliardë dollarësh, i bindur se në tregjet financiare do të shpërthente një fazë e re mungese stabiliteti.
Me këtë tregoi se nuk e ka humbur aftësinë e analizës, me të cilën kishte parashikuar krizën e liretës italiane dhe të stërlinës në vitin 1992.
Pozicionet që ka marrë në javët e fundit ndaj arit, një depozitë e sigurt, i kanë sjellë fitime të mëdha të enjten në mbrëmje dhe të premten.
Ndërkohë Soros i është dedikuar edhe një aktiviteti tjetër, atij të komentatorit, dhe në “Project Syndicate”, portali që mbledh ndërhyrjet e komentatorëve kryesorë ekonomikë të botës, financieri i njohur është shprehur për kuadrin europian, pas referendumit të Londrës.
“Skenari katastrofik që shumë kishin frikë, tashmë është materializuar, duke e bërë shpërbërjen e Bashkimit Europian praktikisht të pakthyeshme”, shkruan Soros.
Viktima e parë e referendumit në Britaninë e Madhe, sipas vlerësimit të Sorosit, do të jetë vetë Britania e Madhe, por efektet ekonomike dhe politike janë të destinuar të zgjerohen në pjesën tjetër të kontinentit.
“Tregjet financiare në të gjithë botën do të mbeten të trazuar deri kur procesi i komplikuar i divorcit politik dhe ekonomik të Bashkimit Europian nuk do të negociohet. Pasojat për ekonominë reale do të jenë të krahasueshme vetëm me krizën financiare të viteve 2007-2008”, është shprehur 85-vjeçari.
Ai është shprehur i bindur se në veçanti në Europë dhe në zonën e euros do të përqendrohen problemet më akute.
“Tensionet mes vendeve anëtare kanë mbërritur në pikën e shkëputjes, jo vetëm për refugjatët, por edhe për shkak të tensioneve midis vendeve debitore dhe kreditore në brendësi të zonës euro”, shprehet financieri i njohur. /Shekulli/