Telegrafi

Parashikimi i motit për sezonën dimërore në Kosovë dhe Evropë, sipas AccuWeather-it

Ky sezon i dimrit do të jetë mjaft i ndryshëm nga dimri i kaluar, sipas parashikimit sezonal të botuar nga shërbimi meteorologjik botëror AccuWeather.

Megjithëse është e pasigurt se si do të zhvillohet pandemia në muajt e ardhshëm, të paktën përmes parashikimit të ekipit të meteorologëve të AccuWeatherit është më e qartë se çfarë moti mund të presin evropianët në muajt e ardhshëm, transmeton Telegrafi.

Në kalimin nga vjeshta në dimër, stuhia parashikohet të lëvizë në drejtim të jugut të Evropës, ku do të lëvizë përgjatë Detit Mesdhe.

Disa nga qytetet më të mëdha evropiane që presin më shumë mot me stuhi këtë dimër janë Lisbona, Madridi, Barcelona, Nice, Roma, Athina dhe Bukureshti.

AccuWeather shprehet se moti me shi dhe stuhi mund të lëvizë edhe drejt shteteve të Ballkanit, duke rezultuar në një rrezik në rritje të përmbytjeve, veçanërisht në Ballkanin perëndimor dhe Italinë veriore.

Nga ana tjetër, stuhi uragani parashikohen në Kroaci dhe në lindje të Italisë. Pavarësisht nga njoftimet për një dimër të stuhishëm në jug të Evropës, kjo nuk do të thotë një lajm i mirë për adhuruesit e borës në këtë rajon.

Bora në disa pjesë të Evropës duhet të fillojë të bjerë në dhjetor, por vetëm janari dhe shkurti do të sjellin një sasi pak më të madhe të mbulesës së bardhë.

Megjithëse vendpushimet më të mëdha të skive evropiane kanë filluar të hapen, meteorologët e AccuWeather parashikojnë që shumica e tyre do të përballen me kushte të këqija për shkak të mungesës së borës. /Telegrafi/