Cikloni që po sjell të reshurat e shiut, gjatë ditës së nesërme do të kalojë nga rajoni ynë duke u zhvendosur mbi Detin e Zi, ndërsa nga Afrika veriore masa të ngrohta ajrore do të fillojnë të depërtojnë mbi rajonin tonë nga dita e premte.
Sipas Prishtina Weather, gjatë natës reshjet e shiut do të vazhdojnë, ndërsa të mërkurën do të mbajë mot i ftohtë, vende-vende do të vazhdojnë rrebeshet e shiut, të cilat deri në mbrëmje pritet të pushojnë. Në vise malore ka mundësi edhe për reshje bore.
Nga dita e enjte do të mbajë mot pjesërisht i vranët me intervale me diell, ndërsa nga dita e premte temperaturat do të shënojnë rritje rreth vlerave mesatare. Në orët e mëngjesit në vise të ulëta ka mundësi edhe për mjegull.
Gjatë fundjavës një tjetër turbullirë nga Atlantiku do të fillojë të depërtojë mbi rajon duke sjell sërish vranësira dhe reshje shiu.
Temperaturat minimale do të rriten nga 3C, të enjten, deri në 10C në fundjavë, e ato maksimale nga 12C deri në 20C.
Era do të fryejë nga verilindja 1-9m/s, ndërsa nga dita e enjte juglindja 2-7m/s. Shtypja atmosferike deri nesër do të zbres nën vlera normale, e më pas do të shënojë rritje mbi këto vlera. /Telegrafi/