Shërbimi Meteorologjik Ushtarak ka bërë të ditur gjatë javës parashikohet që moti të jetë me vranësira mesatare deri të dendura, alternime kthjellimesh si dhe reshje shiu të herëpashershme.
SHMU njofton se të shtunën do të ketë prezencë të reshjeve të herëpashershme të shiut me intensitet të ulët nga orët e mesditës, kryesisht përgjatë vijës bregdetare për tu izoluar më pas në zonën e veriperëndimit.
“Për sa i përket ditës së diel reshjet e herëpashershme të shiut me intensitet të ulët parashikohen të jenë prezent që në orët e para të ditës në pjesën më të madhe të territorit”, thuhet në njoftim.
Në zonën e veriperëndimit reshjet e herëpashershme të shiut parashikohen të jenë me intensitet të ulët e lokalisht mesatar, ndërsa në pjesën tjetër të territorit reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët të karakterit lokal.
SHMU njofton tutje se do të ketë prezencë të mjegullës së dendur, mjegullinës në zonat luginore në orët e mëngjesit e të mbrëmjes si dhe në momentin e reshjeve.
Era do të fryjë me drejtim juglindje –jugperëndim me shpejtësi mesatare deri në 8m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e lugina era fiton shpejtësi deri në 10m/sek. /Telegrafi/