Mangku Bon, që është prift dhe udhëheqës shpirtëror nga Bali i Indonezisë, ka parashikime rrëqethëse për vullkanin në malin Agung, që për një kohë po nxjerr hi dhe tym.
Gjatë muajit tetor, ai ishte ngjitur pranë kraterit për meditim dhe konstatoi se për një kohë nuk do të ketë erupsion, por do të ndodhë në të ardhmen, transmeton Telegrafi.
“Eksplodimi i tmerrshëm do të ndodhë pas 45 vitesh, që do të jetë i njëjtë si ai më 1963”, është shprehur Bon.
Mbi 1,500 njerëz kishin vdekur gjatë vitit 1963, kur nga ky vullkan u shpërnda një shtëllungë hiri me diametër rreth 10 kilometra, ndërsa lava arriti deri në shtatë kilometra.
“Tërmetet që pasuan atëherë ishin 100 herë më të fuqishme se ato që përjetohen gjatë ditëve të sotme. Lutem që të mos ndodhë”, ka thënë prifti, që konsiderohet si engjëlli mbrojtësi i malit.
Ekspertët nuk kanë shmangur mundësinë e erupsionit, ndërsa po hulumtojnë kohën dhe intensitetin me të cilin mund të zhvillohet.
Në anën tjetër, zyrtarët e ishullit indonezian kanë bërë mobilizimet e domosdoshme, teksa mirëpresin vizitorët në pjesët tjera ku nuk ka asnjë rrezik. /Telegrafi/