Telegrafi

Paraqitje spektakolare nga Kawhi Leonard, Toronto merr fitoren e parë ndaj 76ers

Kawhi Leonard. (Foto: Vaughn Ridley/Getty Images/Guliver)

Është zhvilluar ndeshja e parë gjysmëfinale në Konferencën e Lindjes mes Toronto Raptors dhe Philadelphia 76ers.

Raptors kanë marrë fitoren e parë në këtë seri, pasi para adhuruesve të vet kanë triumfuar me 13 pikë diferencë, 108:95.

Kawhi Leonard ishte i jashtëzakonshëm në këtë takim duke arritur të shënoj 45 pikë, pati 11 kërcime, dy asistime, dy topa të vjedhur dhe një bllokadë.

Me lojë të mirë tek vendasit u dallua edhe kamerunasi Pascal Siakam me 29 pikë e shtatë kërcime.


Që të dy basketbollistët patën përqindje të lartë në shënimin e pikëve, pasi Leonard ishte i saktë 16 herë nga 23 tentime, ndërsa Siakam 12 herë nga 15 tentime.

Tek mysafirët më efikasi ishte JJ Redick me 17 pikë, ndërsa qendra Joel Embiid e mbylli ndeshjen me vetëm 16 pikë e tetë kërcime.

Tani Raptors udhëheqin 1-0 në serinë gjysmëfinale ndaj 76ers, ndërsa ndeshja e dytë përsëri do të zhvillohet në Scotiabank Arena në Kanada. /Telegrafi/