Site icon Telegrafi

Paraqitje fantastike nga Drita, mposhtë skuadrën elitare turke Alanyaspor

Drita ka zhvilluar ndeshjen e fundit miqësore në tokën turke ku po kryen fazën përgatitore.

Skuadra gjilanase është përballur në një ndeshje miqësore me Alanyaspor, ekip që bën gara në elitën e futbollit turk.

Drita ka befasuar vendasit duke triumfuar me rezultat të pastër 0-2 në Bahcesehir Okullari Stadium të Alanyas.

Të besuarit e trajnerit Ardian Nuhiu kanë arritur ta marrin një fitore të pastër me rezultat 0-2.

Vetëm pas 17 minutave lojë, Arbnor Muja realizoi për 0-1 në këtë sfidë. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të Dritës 0-1.

Ndërkohë edhe në pjesën e dytë skuadra gjilanase zhvilloi lojë më të mirë, teksa në minutën e 70-të Marko Simonovski realizoi për rezultatin përfundimtar 0-2.

Alanyaspor është pjesë e Superligës së Turqisë dhe aktualisht zë vendin e tretë në tabelë me 38 pikë.

Për Dritën kjo ishte ndeshja e katërt miqësore në tokën turke, ku tri nga to i kanë fituar dhe në një tjetër kanë barazuar. /Telegrafi/

 

Exit mobile version