Garuesit tanë kanë pasur paraqitje të mirë në garën që u zhvillua në Sternberk të Çekisë, ku gjithsesi duhet veçuar Liridon Kalenderin.
Me përjashtim të Lëndrim Doganit, i cili të shtunën pati defekt në veturë, të tjerët e kanë përfunduar garën me sukses.
Liridon Kalenderi është renditur i dyti në Kategorinë 1/Grupi 1.
Kalenderi ka pasur kohën prej 06:19.24 minuta (përfshirë dy vozitjet), ndërsa më i shpejtë se ai ka qenë vetëm austriaku Karl Schagerl, derisa podiumi plotësohet me çekun Martin Jerman, të cilit i takoi pozita e tretë.
Gjithsesi ky rezultat është sukses i madh për Kalenderin dhe automobilizmin kosovar.
Valdet Kaçandolli është renditur i nënti në Grupin 3, ndërsa garën me sukses e kanë përfunduar edhe Gazmend Demolli, Arjeta Rysha e Faton Rama.
Në përgjithësi pjesëmarrja në Sternberk është vlerësuar pozitivisht, pasi për garuesit tanë ishte një përvojë e rëndësishme në arenën ndërkombëtare.