Telegrafi

Paraqitja fantastike e Bruno Fernandesit të Unitedit në fitoren ndaj Chelseat ‘pushton’ rrjetet sociale

Bruno Fernandes ka shijuar fitoren e parë si lojtarë i Manchester Unitedit të hënën mbrëma ndaj Chelseat.

Mesfushori portugez që u transferua te Djajtë e Kuq në afatin kalimtar të janarit, kishte një paraqitje mbresëlënëse në fitoren 2-0 ndaj The Blues në Stamford Bridge.

Fernades arriti të bënte 80% të pasimeve të sakta në ndeshjen ndaj rivalit të ligës, derisa ka krijuar edhe tri shanse të mira për gol.

Mesfushori po ashtu rikuperoi tre topa të humbur nga bashkëlojtarët e tij dhe ka fituar dy ndërhyrje, të cilat përcillen nga një asistim në këtë derbi.

Lexo po ashtu Lampard pas humbjes ndaj Manchester Unitedit: Maguire duhej të ishte ndëshkuar me karton e kuq

Mediat angleze raportojnë se portugezi është një lojtar që i është dashur Unitedit, pas mungesës disa javore të Paul Pogbas që arsyetohet se është i lënduar dhe me grip.

Kujtojmë se kjo është ndeshja e dytë e lojtarit në fanellën e Unitedit, pas barazimit pa gola ndaj Wolverhampton Wanderers. /Telegrafi/